Kina paralajmëron kundër projektligjit amerikan për kontrollin e eksporteve

Kina ka paralajmëruar kundër një pakete të re legjislative për kontrollin e eksporteve në SHBA, e cila synon të vendosë kufizime më të rrepta mbi pajisjet që përdoren për prodhimin e çipave të avancuar, transmeton Anadolu.

Komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së më herët këtë muaj miratoi Aktin për Përafrimin Shumëpalësh të Kontrolleve të Teknologjisë mbi Pajisjet, si dhe disa projektligje të tjera për kontrollin e eksporteve.

Siç raporton agjencia shtetërore Xinhua, një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës përsëriti kundërshtimin e Pekinit ndaj “zgjerimit të tepruar të konceptit të sigurisë kombëtare dhe abuzimit me kontrollet e eksporteve”

Nëse miratohen këto projektligje, theksoi ai, kjo do të minojnë seriozisht rendin ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar, si dhe do të prishin ndjeshëm stabilitetin e zinxhirëve global të industrisë dhe furnizimit të gjysmëpërçuesve.

“Kina do të monitorojë nga afër procesin legjislativ, do të vlerësojë me kujdes ndikimin mbi interesat kineze dhe do të marrë masa vendimtare dhe të nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të ndërmarrjeve kineze”, shtoi zëdhënësi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet që në muajin maj të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping. Samiti, i planifikuar fillimisht për fundin e marsit, u shty për shkak të luftës në Iran.

SHBA-ja dhe Kina, dy ekonomitë më të mëdha në botë, vazhdojnë të jenë në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, përfshirë tregtinë dhe Tajvanin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button