Kina i kërkon SHBA-së të ndalë menjëherë bllokadën dhe sanksionet ndaj Kubës

Kina i kërkoi sot SHBA-së të “ndalë menjëherë” bllokadën dhe sanksionet e saj kundër Kubës, si dhe “shtrëngimin dhe presionin e çdo forme” që synon vendin ishullor, transmeton Anadolu.
Këto komente erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv që vendoste sanksione të reja ndaj individëve dhe subjekteve të lidhura me Kubën, duke përmendur shqetësime për kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme amerikane.
Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez tha se Havana se “i hedh poshtë me vendosmëri” “masat shtrënguese unilaterale” të fundit të miratuara nga Washingtoni, duke i përshkruar ato si “ndëshkim kolektiv ndaj popullit kuban”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha në një deklaratë se intensifikimi i “sanksioneve të paligjshme dhe unilaterale kundër Kubës nga Washingtoni shkel rëndë të drejtën e popullit kuban për mbijetesë dhe zhvillim dhe shkel normat themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Zëdhënësi shprehu “mbështetjen e fortë” të Kinës për Kubën “në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së saj kombëtare” ndërsa kundërshtoi ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit.
Kuba po përballet me një krizë karburanti pas një embargoje të naftës të SHBA-së të vendosur më 30 janar, së bashku me ndërprerjet e përhapura të energjisë elektrike. Trumpi ka thënë vazhdimisht se Kuba është “e radhës” pas operacionit ushtarak kundër Iranit dhe ka pretenduar se “ishulli i Karaibeve do të dështojë së shpejti”.



