Kina: Bllokada amerikane e Ngushticës së Hormuzit, akt i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm

Kina e quajti të martën bllokadën amerikane të Ngushticës së Hormuzit “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”, raportuan mediat shtetërore, transmeton Anadolu.
Bllokada e Washingtonit vetëm sa do të “përkeqësonte tensionet, do të minonte armëpushimin tashmë të brishtë dhe do të kërcënonte më tej sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, gjatë një konference të rregullt për shtyp në Pekin, sipas Shërbimit të Lajmeve të Kinës.
Pekini beson se vetëm një “armëpushim gjithëpërfshirës” mund të krijojë në thelb kushte për të lehtësuar tensionet në ngushticë, tha Guo.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit, të përqendrohen në dialog dhe negociata dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të çtensionuar situatën dhe për të rivendosur “lundrimin normal” në ngushticë sa më shpejt të jetë e mundur.
Washingtoni dhe Teherani zhvilluan bisedime – më të rëndësishmet që nga viti 1979 kur ata i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike – në kryeqytetin e Pakistanit gjatë fundjavës, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për t’i dhënë fund ofensivës SHBA-Izrael ndaj Iranit që ka vrarë më shumë se 3.300 njerëz që nga 28 shkurti, përpara se të ndërmjetësohej një armëpushim i brishtë dyjavor javën e kaluar.
Megjithatë, bisedimet mbetën të paqarta. Më vonë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një bllokadë detare të Ngushticës së Hormuzit.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif të hënën u zotua të vazhdojë përpjekjet për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura midis SHBA-së dhe Iranit drejt një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit.
Guo tha gjithashtu se Pekini ka ndjekur vazhdimisht një “qasje të kujdesshme dhe të përgjegjshme” ndaj eksporteve ushtarake dhe zbaton kontrolle të rrepta në përputhje me ligjet e saj të kontrollit të eksportit dhe detyrimet ndërkombëtare, kur u pyet për raportet se Kina i kishte ofruar mbështetje ushtarake Iranit.
Ai i quajti raportet tërësisht “të fabrikuara”.
Nëse SHBA-të këmbëngulin ta përdorin këtë si pretekst për të vendosur tarifa shtesë ndaj Kinës, Kina do të ndërmarrë me vendosmëri kundërmasa”, tha ai.
Trump kërcënoi të dielën se do të vendoste një tarifë prej 50 për qind ndaj Kinës për shkak të raportimeve se Pekini i kishte ofruar mbështetje ushtarake Teheranit.



