Kim Jong Un: Koreja e Veriut po planifikon zgjerimin e arsenalit bërthamor

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un tha se Pheniani do të rrisë arsenalin e tij të armëve bërthamore, njoftoi sot agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Kim tha se ”stoku i Koresë së Veriut duhet të rritet në mënyrë eksponenciale”, gjatë një fjalimi në përkujtim të ditës së themelimit të vendit.

“Tani po zbatojmë në mënyrë të përsosur politikën për ndërtimin e forcave të armatosura bërthamore dhe për rritjen e numrit të armëve bërthamore me progresion gjeometrik”, citon KCNA të ketë thënë Kim.

Kim akuzoi gjithashtu forcat “armiqësore” se duan të sulmojnë Korenë e Veriut me armë bërthamore, pa specifikuar se cilat vende do të thoshte dhe pa ofruar prova.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), Koreja e Veriut aktualisht posedon rreth 50 koka bërthamore, megjithëse numri i saktë nuk dihet.

Koreja e Veriut e izoluar gjerësisht është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për shkak të armëve të saj bërthamore dhe programit të raketave. Testi i fundit i njohur bërthamor u zhvillua në vitin 2017.

Tensionet janë rritur në Gadishullin Korean pasi Pheniani zgjeroi ndjeshëm testet e tij raketore gjatë dy viteve të fundit, duke ashpërsuar retorikën e tij kundër SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Ai gjithashtu ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button