MPB: Kallëzime penale ndaj një kompanie në rajonin e Strumicës, konstatohet mungesë e afro tetë tonëve kanabis mjekësor

Gjatë një kontrolli në një subjekt juridik për kultivimin e kanabisit mjekësor në rajonin e Strumicës, është konstatuar mungesë e afro tetë tonëve lule të thata të kanabisit mjekësor. Pas kësaj, Sektori për Punë të Brendshme në Strumicë ka ngritur kallëzime penale ndaj kompanisë dhe drejtuesit të saj, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, gjatë kontrollit në ambientet ku ruhej kanabisi mjekësor i tharë, zyrtarët policorë të SPB-së në Strumicë, së bashku me përfaqësues të komisionit kompetent pranë Ministrisë së Shëndetësisë, kanë konstatuar disa parregullsi.
Përveç mungesës së dokumentacionit lidhur me personelin e angazhuar dhe dokumenteve të tjera të detyrueshme, kontrolli ka zbuluar edhe mungesën e 7.813,49 kilogramëve lule të thata të kanabisit mjekësor.
Kallëzimet penale janë ngritur ndaj një personi juridik nga fshati Borisovë, në komunën e Novo Sellës, si dhe ndaj V.K. nga Novo Sella, me qëndrim në Strumicë, në cilësinë e drejtuesit të kompanisë. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale në bazë të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se për sasinë e konstatuar të kanabisit mjekësor, kompania nuk posedonte dokumentacion përkatës dhe as dëshmi për origjinën dhe disponimin e produktit.



