Këshilli Botëror Turk i Biznesit organizoi takim me mediat në Maqedoninë e Veriut

Këshilli Botëror Turk i Biznesit (DTIK) ka organizuar një program takimi me mediat në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu.
Në programin e organizuar në një hotel morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryetari i Delegacionit Turk në Asamblenë Parlamentare të NATO-s (AP-NATO) dhe deputeti i AK Partisë nga Antalya, Mevlut Çavusoglu, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, përfaqësuesi i DTIK-ut në Maqedoninë e Veriut dhe drejtori i përgjithshëm i Halkbank Shkup, Fatih Sahbaz, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore në vend, gazetarë, si dhe të ftuar të tjerë
Në fjalën e tij, Gashi tha se lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore midis dy vendeve, përbëjnë një bazë të fortë mbi të cilën kanë ndërtuar bashkëpunimin e tyre edhe bilateral e parlamentar, por edhe në shumë fusha tjera përfshirë edhe atë ekonomik.
Duke vlerësuar marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, Gashi tha: “Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, dua të theksoj se marrëdhëniet ndërmjet të Republikës të Maqedonisë së Veriut dhe Republikës të Turqisë përfaqësojnë një shembull të miqësisë së qëndrueshme, respektit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik”.
Duke theksuar se kontributi i komunitetit të biznesit turk në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut është i dukshëm dhe i vlerësuar, Gashi theksoi se investimet, angazhimi dhe përvoja e kompanive dhe sipërmarrësve turq kanë ndihmuar në krijimin e vendeve të reja të punës, në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm dhe në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve tona.
“Turqia nuk e ka ndarë paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e Ballkanit nga mirëqenia e saj”
Cavusoglu, nga ana e tij, e cilësoi DTIK-un jo vetëm si një platformë të botës së biznesit, por edhe si një urë strategjike që forcon urat ekonomike dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve, zgjeron rrjetet e investimeve dhe tregtisë dhe jep kontribut të rëndësishëm në diplomacinë ekonomike.
Duke vënë në dukje se Ballkani ka qenë gjatë historisë pikëtakim i kulturave, qytetërimeve dhe rrugëve tregtare të ndryshme, Çavusoglu tha: “Për Turqinë, Ballkani nuk është vetëm një gjeografi e afërt, por një hapësirë partneriteti strategjik me të cilën jemi të lidhur përmes historisë së përbashkët, kulturës, lidhjeve njerëzore dhe marrëdhënieve të forta ekonomike. Turqia nuk e ka ndarë paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e Ballkanit nga mirëqenia e saj dhe e konsideron atë pjesë të pandashme të saj. Me këtë qasje, vendi ynë po zhvillon marrëdhëniet me të gjitha vendet e Ballkanit mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe përfitimit të përbashkët, në përputhje me parimet e përvetësimit rajonal dhe gjithëpërfshirjes”.
Çavusoglu tërhoqi vëmendjen se Turqia i kushton rëndësi të madhe projekteve që zhvillohen në Ballkan në fushat e transportit, energjisë, industrisë, logjistikës, transformimit digjital dhe infrastrukturës.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Çavusoglu tha: “Miqësia, besimi i ndërsjellë dhe dialogu i fortë politik ndërmjet dy vendeve krijojnë një bazë të fortë për zhvillimin e marrëdhënieve tona ekonomike. Sot, Turqia është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Investimet turke, veçanërisht Halkbank Shkup SHA, japin kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe sigurojnë punësim për mijëra persona”.
Çavusoglu tha se takimi i zhvilluar disa ditë më parë në Stamboll ndërmjet presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ishte jashtëzakonisht produktiv dhe i dobishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike.
“Prania e fuqishme e biznesit turk në rajon forcon edhe urën e miqësisë ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut”
Nga ana e tij, Sahbaz tha se dinamika pozitive e arritur vitet e fundit në marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut ka krijuar mundësi të reja edhe për botën e biznesit.
Duke theksuar se investitorët, sipërmarrësit dhe profesionistët turq që veprojnë në Maqedoninë e Veriut kanë arritur suksese të rëndësishme në shumë fusha, nga prodhimi te sektori i shërbimeve dhe nga tregtia te industria, Sahbaz tha: “Prania e fuqishme e biznesit turk në rajon jo vetëm që sjell kontribut ekonomik, por edhe forcon urën e miqësisë ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne, si përfaqësi e DTIK-ut në Maqedoninë e Veriut, synojmë të rrisim komunikimin dhe solidaritetin ndërmjet biznesmenëve tanë që veprojnë në rajon, të krijojmë fusha të reja bashkëpunimi dhe të zhvillojmë projekte të përbashkëta”.
Duke informuar pjesëmarrësit edhe për DTIK-un dhe Halkbank Shkup, Sahbaz tha se në kuadër të vizionit “Shekulli i Turqisë” të presidentit Erdogan, i kushtohet rëndësi jo vetëm zhvillimit të Turqisë, por edhe vendeve të rajonit, dhe se ky vizion reflektohet në Maqedoninë e Veriut përmes institucioneve turke që veprojnë në vend.
Pas fjalimeve, u bë një prezantim për Këshillin Botëror të Biznesit Turk dhe Halkbank Shkup.



