Katër organizata për të drejtat e njeriut padisin administratën Trump për sanksionet ndaj GJNP-së

Katër organizata amerikane për të drejtat e njeriut ngritën padi kundër administratës së Presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë se po përdor sanksionet ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për të minuar përpjekjet ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, transmeton Anadolu.
Në një padi të paraqitur në gjykatën federale, American Friends Service Committee, Center for Constitutional Rights, Human Rights Watch dhe Open Society Institute argumentuan se sanksionet e administratës amerikane ndaj GJNP-së dhe personave që mbështesin punën e saj përbëjnë një “sulm të hapur të paligjshëm ndaj drejtësisë ndërkombëtare”.
“Ky është një abuzim i paligjshëm me pushtetin që përbën një sulm frontal ndaj sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, parimeve themelore që mbështesin rendin juridik ndërkombëtar dhe parimit të qasjes së barabartë në drejtësi. Pasoja është dëmtimi i rëndë i aftësisë për të sjellë para drejtësisë autorët e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, thanë organizatat.
Padia kundërshton urdhrin ekzekutiv të Trumpit të shkurtit 2025, i cili autorizonte vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve, gjyqtarëve të GJNP-së dhe personave të tjerë të përfshirë në hetimin e saj për krimet e dyshuara izraelite në Palestinë, një nga 18 hetimet që gjykata po zhvillon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Megjithëse SHBA-ja nuk është palë e GJNP-së dhe prej kohësh e kundërshton punën e saj, presioni u shtua pasi gjykata lëshoi urdhërarreste në nëntor 2024 për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime të dyshuara në Gaza.
Më pas, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të GJNP-së, tri organizatave kryesore palestineze për të drejtat e njeriut dhe Francesca Albanese, raportueses speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze.



