Kandidatja për komisionare të zgjerimit të BE-së kundër shkëmbimit të territoreve

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, sllovenia Marta Kos, ka thënë se është kundër tendencave për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se në procesin e dialogut duhet kërkuar një rrugë të re nëse shihet se ajo e deritashme nuk jep rezultate.

Ajo i ka dhënë këto qëndrime në një seancë dëgjimore në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, të enjten, ku duhet të konfirmohet si komisionare e ardhshme.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka marrë edhe një mandat pesëvjeçar, ia ka besuar ish-diplomates Kos procesin e zgjerimit. Këto ditë, 26 kandidatë për komisionarë janë duke kaluar në procesin e dëgjimit dhe konfirmimit në komisionet parlamentare.

Kos ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në duart e përfaqësueses së lartë, Kaja Kallas, por se duke pasur parasysh edhe përvojën dhe njohjen e rajonit, do të jetë e gatshme edhe vetë të bashkëpunojë në këtë fushë në mënyrë që të lëvizet përpara.

“Duhet të lëvizim përpara. Është arritur shumë formalisht deri me tani në dialog. Kemi marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Presim që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me implementim. Nëse gjërat nuk ecin, duhet të gjejmë një rrugë të re. Në kuptimin e thënies së Ajnshtajnit se çmenduria është të vazhdosh të bësh të njëjtën gjë çdo ditë duke pritur rezultat tjetër – Dua të shoh rezultate të ndryshme. Jam e sigurt se ka rrugë kur ka vullnet”, ka thënë ajo.

E pyetur se çfarë pret nga roli i administratës Trump në rajon dhe për idetë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse kthehen ato ide, Kos ka thënë se ajo nuk do të ndjekë një rrugë të tillë.

“Çka do të ndodhë pas janarit kur të nis mandatin presidenti i ri amerikan mbetet të shohim. Sa u përket ideve që përmendët, ne duhet të bazohemi në atë se çka mund dhe duhet të bëjë Evropa e jo çfarë do të thonë të tjerët. Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo, Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka thënë Kos.

Ajo është zotuar që të mbajë procesin e zgjerimit si të bazuar në parimin e meritave individuale. Ka thënë se ekziston mundësia që Mali i Zi t’i përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2026, ndërsa Shqipëria deri në vitin 2027.

Kos ka shtuar se do të insistojë gjatë punës së saj në respektimin e lirive të medieve dhe rolin kyç të shoqërisë civile. Sipas saj, vendet që nuk e respektojnë lirinë e shtypit nuk kanë vend në BE.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button