Serbi kapet në Tabanoc, voziti me 158 km/h në zonën ku kufizimi ishte 80 km/h

Një shtetas 59-vjeçar i Serbisë është privuar nga liria në Pikën e Kalimit Kufitar Tabanoc, pasi ishte evidentuar duke drejtuar automjetin me shpejtësi pothuajse dyfish më të lartë se ajo e lejuar.
Sipas njoftimit të policisë, Gj.K. është ndaluar më 22 nëntor 2026, rreth orës 19:40, në dalje të shtetit, gjatë kontrollit të automjetit të tipit „Audi“, me targa serbe që drejtonte.
Përmes sistemit „Qyteti i Sigurt“ është konstatuar se më 19 nëntor 2026, në autostradën Demir Kapi–Gjevgjeli, ai kishte drejtuar automjetin me shpejtësi prej 158 kilometrash në orë, në një segment ku kufizimi maksimal ishte 80 kilometra në orë.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Negotinë, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori publik.
Policia bëri të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal përkatës për drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik.



