Jeton Shasivari ministër i Drejtësisë – sinjal për zgjidhje përfundimtare të çështjes së provimit të jurisprudencës

Profesori i së drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari, është emëruar ministër i Drejtësisë, një zhvillim që po shihet si kthesë e rëndësishme në trajtimin e çështjes së provimit të jurisprudencës, e cila prej kohësh ka mbetur e pazgjidhur, shkruan Zyrtare.
Shasivari, i cili më herët ka qenë pjesë e grupit të punës për këtë çështje dhe një nga zërat më kritikë ndaj mënyrës së deritanishme të organizimit të provimit, tashmë do të ketë përgjegjësinë ekzekutive për të adresuar këtë problematikë në mënyrë institucionale.
Në opinionin akademik dhe juridik, ai njihet për qëndrimin se çështja e gjuhës dhe mënyrës së realizimit të provimit nuk është thjesht teknike, por lidhet me të drejta kushtetuese dhe trajtim të barabartë të kandidatëve.
Me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Drejtësisë, pritet që një nga prioritetet e tij të jetë pikërisht rishikimi i kornizës aktuale të provimit të jurisprudencës dhe gjetja e një zgjidhjeje që shmang kontestimet e deritanishme.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse ky ndryshim në krye të institucionit do të sjellë edhe një kompromis të qëndrueshëm mes palëve, apo nëse debati për provimin e jurisprudencës do të vazhdojë edhe më tej në formën aktuale



