Jahoski mbetet në paraburgim, Gjykata nuk e pranoi garancinë prej 2.15 milionë euro

Asmir Jahoski do të mbetet në paraburgim, pasi Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale – Shkup e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën që masa e paraburgimit të zëvendësohet me garanci. Gjykata ka vlerësuar se ende ekzistojnë rrethanat e nenit 165, paragrafi 1, pika 1 dhe 2 të Ligjit për Procedurë Penale – konkretisht, rreziku që i pandehuri të pengojë hetimet duke ndikuar mbi dëshmitarët ose duke shkatërruar apo falsifikuar prova.

Është bërë e ditur se procedura hetimore është në vijim dhe po ndërmerren veprime shtesë për sigurimin e provave.

Prokuroria ishte dakord që ai të lirohej, por me kusht që të paguante edhe 1.1 milionë euro shtesë në një llogari të veçantë bankare. Fillimisht, Jahoski kishte propozuar që paraburgimi të zëvendësohej me garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë të vlerësuar prej 60,672,235 denarë, përkatësisht 986,191 euro. Këtë garanci – në formë veturash dhe apartamentesh – ai e kishte paraqitur në Gjykatën Penale të Shkupit, e cila më pas e kishte përcjellë te Prokuroria për mendim.

Jahoski ishte njëri nga 11 të ndaluarit nga gjithsej 13 të dyshuar në rastin e blerjes së mazutit me cilësi të dyshimtë për TEC “Negotinë” dhe për pastrim parash, së bashku me pronarët e kompanisë RKM, Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sulkoski, të cilëve tashmë u ishte caktuar masa e paraburgimit. Të dyshuarit përballen me akuza për pastrim parash dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, përfshirë edhe pronarë kompanish të naftës dhe një ish-drejtor të ESM-së, që dyshohet se, përveç pastrimit të parave, kanë importuar lëndë djegëse me cilësi të dyshimtë dhe të dëmshme për mjedisin.

Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, dy nga të dyshuarit në periudhën 2021–2023 i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej mbi 167 milionë euro. Një kallëzim penal është ngritur kundër 13 personave dhe një kompanie nga Shkupi.

Asmir Jahoski është djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button