Izraeli zgjeron deklaratën e vitit 1984 për “tokë shtetërore”, duke përfshirë 48 akra në Bregun Perëndimor

Autoritetet izraelite kanë rishikuar kufijtë e një deklarate 42-vjeçare për “tokë shtetërore” në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke shtuar afër 194 dynymë (48 akra) tokë palestineze pranë fshatrave Jalud dhe Al-Mughayyir, transmeton Anadolu.
Komisioni për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit tha se “Ekipi i Vijës së Kaltër” i Izraelit miratoi përfshirjen e 193,93 dynymëve (47,9 akra) në deklaratën e lëshuar fillimisht në vitin 1984.
Komisioni tha se rishikimi gjithashtu hoqi 15,07 dynymë (3,72 akra) nga kufijtë e mëparshëm dhe la të pandryshuar 1.433,85 dynymë (354 akra), duke rezultuar në një rritje neto prej rreth 179 dynymësh (44 akra).
Masa nuk nënkupton automatikisht zgjerimin e zonës së ndikimit të vendbanimit, por e bën tokën e shtuar të disponueshme për procedura të mundshme planifikimi ose ndarjeje në fazat e mëvonshme.
Sipas komisionit, Jaludi ndodhet në juglindje të Nablusit ndërsa Al-Mughayyiri në verilindje të Ramallahut, në një zonë ku po vazhdon zgjerimi i vendbanimeve dhe postblloqeve të paligjshme, krahas kufizimeve për shfrytëzimin e tokave bujqësore dhe zonave të kullotjes.
Komisioni tha se kjo lëvizje është pjesë e një strategjie më të gjerë, në kuadër të së cilës autoritetet izraelite përdorin mjete të ndryshme për të marrë nën kontroll tokën palestineze, përfshirë deklarimet si “tokë shtetërore” dhe “pronë qeveritare”, urdhrat për konfiskim dhe shpronësim, si dhe ndryshimet e zonave nën juridiksionin e vendbanimeve dhe rishikimin e kufijve të tyre.
Në muajin gusht, komisioni raportoi se autoritetet izraelite shpallën rreth 1.152 dynymë (284 akra) tokë që u përket Sinjilit, Al-Lubban ash-Sharqiyas dhe Qaryutit si “pronë qeveritare”, me synimin për të zgjeruar vendbanimin Karmei Oz dhe për të forcuar vazhdimësinë gjeografike ndërmjet vendbanimeve dhe postblloqeve në zonën mes Ramallahut verior dhe Nablusit jugor.
Vendbanimet izraelite të ngritura në Bregun Perëndimor të pushtuar konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.



