Izet Mexhiti në takim vëllazëror me arbëreshin Xho Dioguardi
Sot pata nderin të marr pjesë në një pritje të përzemërt dhe vëllazërore, organizuar nga miku im dhe ish-kongresmeni shqiptar, Joseph DioGuardi, në Staten Island, ka shkruar zëvendës kryeministri Izet Mexhiti në Fejsbuk.
“Ky ishte një moment i veçantë, ku u ndjeva i rrethuar nga dashuria dhe përkrahja e fortë e komunitetit shqiptar në Amerikë.
Joseph DioGuardi ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm për çështjen tonë kombëtare, dhe sot pata mundësinë ta falënderoj personalisht për të gjitha përpjekjet e tij ndër vite. Ai ka ndihmuar për të ngritur zërin e shqiptarëve në Amerikë, ka informuar opinionin publik amerikan për gjendjen politike dhe të drejtat e shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Që nga mbështetja për Universitetin e Tetovës, deri te kontributi për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Shkup, ai ka qenë gjithmonë në ballë të kauzës sonë kombëtare.
E ftova me kënaqësi që, së bashku me bashkëshorten e tij, të na vizitojnë në Shkup, në shenjë mirënjohjeje për të gjitha përpjekjet dhe mbështetjen e tyre të palodhur për shqiptarët. Në një gjest simbolik dhe si urim për pozitën time të re, ai më dhuroi një libër ekskluziv mbi Skënderbeun, i shtypur në vetëm 40 kopje – një dhuratë e veçantë që më kujton përgjegjësitë tona si udhëheqës që e kemi, për çështjen kombëtare.
Kjo pritje kaq e ngrohtë më bëri të ndihem krenar për kombin tim, dhe për mbështetjen e çmuar që na vjen nga vëllezërit tanë, kudo nëpër botë”, shkroi Mexhiti.