Binance mbulon 90% të humbjeve nga sulmi kibernetik prej 6.3 miliardë dollarësh

Binance, platforma më e madhe e tregtimit të kriptomonedhave në botë, ka zëvendësuar 90 për qind të aseteve të vjedhura gjatë sulmit kibernetik prej 6.3 miliardë dollarësh. Kompania premton se do të mbulojë plotësisht humbjet, pa ua kaluar koston përdoruesve.

Për këtë qëllim, Binance ka vënë në dispozicion mbi 6.34 miliardë dollarë nga fondet e veta, ndërsa zëvendësimi i 10 për qind të mbetur mund të kërkojë më shumë kohë.

“Binance do ta përballojë vetë ndikimin financiar të fondeve të vjedhura, jo përdoruesit tanë”, deklaroi kompania.

Sipas njoftimit, janë mbuluar plotësisht asetet në Bitcoin, Ethereum, Tether dhe shtatë kriptomonedha të tjera.

Objektivi i radhës është rifillimi i shërbimeve të tërheqjes së fondeve, të cilat kompania synon t’i rikthejë më 1 nëntor.
Ndërkohë, FBI ka akuzuar grupin e hakerave Lazarus, të lidhur sipas autoriteteve amerikane me Korenë e Veriut, si përgjegjës për sulmin.
Hetimet paraprake tregojnë se hakerat mund të kenë shfrytëzuar fillimisht kompjuterin e komprometuar të një inxhinieri, ndërsa më pas janë zbuluar edhe pika të tjera të cenueshme të sigurisë.

Binance njoftoi gjithashtu se ka bllokuar rreth 3 miliardë dollarë nga asetet e vjedhura, në bashkëpunim me autoritetet dhe kompanitë e sigurisë.

Sulmi konsiderohet si vjedhja më e madhe e dyshuar në historinë e kriptomonedhave, duke tejkaluar rastin e platformës Bybit në vitin 2025, kur u vodhën 1.5 miliardë dollarë.

Hetimet vijojnë, ndërsa Koreja e Veriut ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në sulme të tilla.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button