IRGC-ja e Iranit thotë se ka shënjestruar aeroplanmbajtësen dhe një destrojer amerikan me raketa balistike

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha herët të dielën se kanë shënjestruar një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një destrojer të marinës me raketa balistike, duke pretenduar se të dyja anijet janë dëmtuar dhe janë tërhequr nga zona, transmeton Anadolu.
IRGC-ja tha në një deklaratë të publikuar nga agjencia e lajmeve IRNA se Forcat e saj Ajrore dhe Hapësinore kanë lëshuar raketat drejt dy anijeve luftarake.
Ajo pretendoi se anijet kishin ngacmuar anijet iraniane dhe po merrnin pjesë në bllokadë detare, duke shtuar se të dyja anijet luftarake u larguan nga “zona e përplasjes” pasi pësuan dëme.
IRGC-ja tha se Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) ka konfirmuar se dy anije luftarake të marinës janë shënjestruar, duke e cilësuar deklaratën e saj si konfirmim të operacionit.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se vazhdimi i veprimeve ushtarake amerikane do të sjellë përgjigje “më të rënda” nga forcat e armatosura iraniane.
Në një deklaratë të veçantë të bërë herët të dielën, IRGC-ja tha se marina e saj ka sulmuar një anije ushtarake amerikane të telekomanduar, për të cilën pretendoi se po përpiqej të hynte në një zonë të mbrojtur të Ngushticës së Hormuzit.
IRGC-ja nuk dha detaje mbi llojin e sulmit dhe as nëse anija është dëmtuar.
Garda përsëriti gjithashtu qëndrimin e Teheranit se Ngushtica e Hormuzit është nën menaxhimin iranian dhe tha se SHBA-ja duhet të largohet nga rajoni.
Më herët të shtunën, Marina e IRGC-së tha se kishte shënjestruar tri cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit dhe tri anije të lidhura me SHBA-në në zona të tjera, në përgjigje të sulmeve amerikane ndaj cisternave iraniane.
CENTCOM-i tha se Irani kishte lëshuar raketa balistike drejt dy anijeve luftarake të Marinës amerikane që patrullonin në ujërat e rajonit dhe se të dyja anijet i kishin shmangur sulmet, ndërsa asnjë personel amerikan nuk ishte lënduar.
Ajo tha se më pas forcat amerikane kishin goditur tri cisterna iraniane të naftës bruto.
Konflikti ka vazhduar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në shkurt.



