Irani synon të lehtësojë presionin ekonomik nga sanksionet amerikane përmes kontrollit të inflacionit

Irani po përpiqet të lehtësojë presionin ekonomik nga sanksionet amerikane dhe perëndimore duke ngadalësuar inflacionin dhe duke rritur vlerën e kuponëve ushqimorë për familjet, deklaroi sot zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani, transmeton Anadolu.

Duke folur për agjencinë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, Mohajerani tha se inflacioni buron nga kushtet më të gjera makroekonomike dhe nuk mund të trajtohet përmes masave afatshkurtra.

“Po përpiqemi t’i kundërvihemi presionit ekonomik të ushtruar ndaj nesh nga Perëndimi dhe SHBA-ja, nga njëra anë duke kontrolluar ritmin e inflacionit dhe, nga ana tjetër, duke marrë masa për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve, përfshirë rritjen e vlerës së kuponëve ushqimorë”, tha ajo.

Qeveria synon të zgjerojë programin elektronik të kuponëve ushqimorë, të njohur si Kalabarg, i cili u ofron familjeve që plotësojnë kushtet subvencione për blerjen e produkteve ushqimore bazë. Ekonomia e Iranit është përballur me presion në rritje nga sanksionet amerikane, zhvlerësimi i monedhës dhe rritja e çmimeve të konsumit.

Në gusht, Washingtoni nisi fushatë të re presioni ekonomik të quajtur “Operacioni Ekonomia e Përjashtuar”, duke vënë në shënjestër eksportet iraniane të naftës, transaksionet financiare dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare.

Në korrik, SHBA-ja riktheu bllokadën detare ndaj anijeve që udhëtojnë drejt dhe nga portet iraniane, duke kufizuar më tej tregtinë e naftës së Teheranit. Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnaser Hemmati tha në gusht se eksportet e naftës së vendit kishin rënë në zero për shkak të konfliktit dhe sanksioneve.

Në gusht, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi se ekonomia e Iranit do të tkurrej me 6,1 për qind në vitin 2026 ndërsa inflacioni mesatar vjetor do të arrinte në 68,9 për qind.

Vështirësitë ekonomike janë rënduar edhe më shumë nga konflikti ushtarak mes Iranit dhe SHBA-së, i cili filloi në shkurt si dhe nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme lidhur me lehtësimin e sanksioneve dhe marrëveshjet e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button