Irani: Sulmi amerikan në Ngushticën e Hormuzit vret 5 civilë

Mediat iraniane raportuan sot se pesë civilë u vranë pasi forcat amerikane shënjestruan anije të vogla mallrash në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim, duke cituar një burim ushtarak, tha se një hetim zbuloi se forcat amerikane sulmuan dy anije të vogla që transportonin mallra nga Khasabi në bregdetin e Omanit drejt Iranit.

“Pas pretendimit të rremë nga ushtria amerikane se ka shënjestruar 6 anije të shpejta iraniane, meqenëse asnjë nga anijet luftarake të IRGC-së nuk ishte goditur, u krye një hetim mbi natyrën e pretendimit nga burime lokale”, citohet të thoshte burimi, duke iu referuar Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Pesë pasagjerë civilë u vranë në sulm, tha burimi ushtarak duke e përshkruar atë si një veprim “të nxituar” të shkaktuar nga “frika” e SHBA-së nga operacionet e anijeve të shpejta të IRGC-së.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha më parë se helikopterët amerikanë u përdorën për të shkatërruar “anijet e vogla iraniane që kërcënonin transportin tregtar”, duke thënë se anijet u shënjestruan gjatë përpjekjeve për të siguruar trafikun përmes rrugës strategjike ujore.

CENTCOM-i akuzoi Iranin për hapjen e zjarrit ndaj anijeve luftarake dhe tregtare amerikane të hënën.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar hakmarrje nga Teherani kundër Izraelit si dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi u zgjat më vonë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump pa një afat të caktuar.

Që nga 13 prilli, SHBA-ja ka zbatuar bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në Ngushticën e Hormuzit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button