Ibrahimi: VLEN-i solli kulturë të re bashkimi dhe identitet të qartë politik

Ish-kryetari i Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, përmes një statusi në Facebook ka deklaruar se dy elemente e bëjnë VLEN një subjekt unik në skenën politike shqiptare.
Sipas tij, për herë të parë disa parti politike shqiptare janë bashkuar në një parti të vetme, duke e cilësuar këtë si një kulturë të re politike që, sipas tij, ka munguar deri më tani.
“Është hera e parë që shqiptarët, më saktë disa parti politike shqiptare, bëhen bashkë në një parti. Pavarësisht shtytjes, që dikush mund ta vë në diskutim, askush nuk e zhbën faktin se ndodh për herë të parë që pesë entitete politike bëhen bashkë në një parti të vetme”, ka shkruar Ibrahimi.
Ai ka theksuar se VLEN-i është i përcaktuar si parti e qendrës së djathtë, e fokusuar te kombi, familja, gjuha, besimi, trashëgimia kulturore dhe ekonomia e tregut të lirë.
“Kundrejt partive pa identitet, që janë luhatur prej te internacionalja proletare deri te partitë e gjelbra, VLEN-i është te kombëtarja”, është shprehur Ibrahimi.
Në reagimin e tij, ai shton se për VLEN-in janë të rëndësishme identiteti kombëtar, familja dhe besimi, duke kundërshtuar, siç thotë ai, “laicizmin agresiv” dhe qasjet që nuk i japin rëndësi trashëgimisë kulturore.
Sipas Ibrahimit, këto janë arsyet kryesore pse VLEN-i dhe themeluesit e saj sulmohen politikisht me “tema periferike”.

