Ibrahimi: Mbështes plotësisht bojkotin e qytetarëve ndaj marketeve

Edhe lideri i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi i është bashkuar bojkotit të marketeve të paralajmëruar për të premten 31 janar 2025).
Njoftimi i Ibrahimit:
Unë, si kryetar i Alternativës dhe pjesë e qeverisë në koalicionin VLEN, mbështes plotësisht bojkotin e thirrur nga qytetarët. Bojkoti është një e drejtë legjitime qytetare, dhe qytetarët kanë lirinë të vendosin vetë se si dhe ku i shpenzojnë paratë e tyre.
Ne si qeveri VLEN do të angazhohemi në maksimum që të drejtat e qytetarëve të jenë në rrafsh të parë, duke siguruar që ata të kenë mundësinë të shprehin lirshëm pakënaqësitë e tyre dhe të bëjnë zgjedhje të informuara si konsumatorë.
Përveç kësaj, do të shtojmë përpjekjet për kontrollin e tregjeve, duke u siguruar që marketet të operojnë me çmime të arsyeshme dhe të mos abuzojnë me pozitën e tyre në dëm të konsumatorëve. Transparenca dhe drejtësia në ekonomi janë prioritete kyçe për ne, dhe do të ndërmarrim hapa konkretë për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga praktikat e padrejta tregtare.