Ibrahim Rugova, kritiku letrar e teoricieni shqiptar

Rugova është kritik letrar shqiptar. Me tekstet e tij Strategjia e kuptimit dhe Refuzimi estetik, ai krijon një identitet letrar shqiptar. Këto dy tekste të Rugovës e bëjnë atë teoricienin dhe studiuesin shqiptar më të plotë në fushën e kritikës, teorisë dhe formave letrare. Me tekstin Strategjia e kuptimit, Rugova e analizon strategjinë si kuptim dhe mendim rreth krijimit të veprës letrare, por edhe kuptimi sipas Rugovës përbën një ndërlidhje të pashkëputshme mes tyre.
Fitim VELIU, Prishtinë
Strategjia e kuptimit dhe teoria e interpretimit
Strategjia e kuptimit është teksti me të cilin Rugova merret me studimin e fenomeneve filozofike dhe autorëve përfaqësues të formacioneve letrare. Mirëpo, që në titull të tekstit vërejmë një binom ose një relacion mes strategjisë si fushë veprimi dhe kuptimit si mënyrë vlerësimi. Rugova e ndërton këtë teori duke i parë në bashkëjetesë ose pengesë të njëra-tjetrës, sepse kuptimi po vdes, thoshte një moshatar i studiuesit. Sintagma se kuptimi po vdes ka të bëjë me qarkullimin ose dinamizimin e shoqërisë, që prodhon mungesën e një stabiliteti të mendimit dhe koncentrimit në vetë deshifrimin e kuptimit të veprës letrare. Në veprën letrare, strategjia dhe kuptimi kanë një relacion të ngushtë në pikëpamje të lidhshmërisë dhe ekzistencës së njëra-tjetrës.
Strategjia ka të bëjë me elementet e ndërtimit, lidhur me prodhimin e kuptimeve dhe domethënien e veprës. Strategjia nënkupton gjenerimin e ideve nga i cili proces dalin kuptime të reja. Por, a i duhet artit kuptimi si domethënie e veprës artistike. Rugova e interpreton këtë teori nëpërmjet idesë se: “Arti, do të mund të thuhej është e bukura vetë dhe me këtë ai përmbushet dhe i mjafton vetvetes. Atij nuk i duhet kuptimi. Jungu e interpreton kuptimin nëpërmjet shkencës së gnoseologjisë, si kategori e njohjes, kurse kuptimi duhet parë edhe si aspekt ontologjik, kur vepra artistike shqyrtohet në dritën e ekzistimit si qenie shpirtërore e produktit intelektual. Strategjia dhe kuptimi kanë një lidhje intertekstore, sepse nëse strategjia është një modus orientimi, prej nga burojnë shenjat e kuptimit?! Greimasi e dërgon kuptimin edhe përtej teorisë së Jungut, kur e analizon kuptimin brenda veprës si një lloj intencionaliteti dhe finaliteti i veprës artistike. Me konstatimin e Greimasit se të gjitha kuptimet janë të mundshme, prekim një nyje interesante të kritikës, të semantikës, sepse lejon mundësinë e kuptimeve të shumta, pra pluralitetin kuptimor, por jo atë të egër, që mund të merret vetëm si përjetim individual. Në këtë kuptim edhe mund të hetojmë këto dy çështje në planin e lidhjes dhe ndërvarësisë poetike brenda artit letrar.
Refuzimi estetik dhe teoria e perceptimit subjektiv
Në librin Refuzimi estetik Rugova heton e analizon nocionin refuzim në planin estetik, të pranimit e të mohimit të përgjithshëm. Duke e përkufizuar refuzimin brenda teorisë letrare, nocioni merr kuptimin e një fenomeni të përgjithshëm brenda sferës sociale. Rugova e sheh refuzimin si përkufizim të këtillë: “Refuzim do të thotë të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe ai i përgjithshëm. Refuzimi ndërtohet mbi bindje, e bindja në argument”.
Refuzimi është i pranishëm në përhershmërinë e sferës jetësore, sidomos në gëzime, dashuri, abstenime, sepse njeriu gjithmonë gjendet mes pranimit dhe refuzimit. Roman Jakobsoni konstaton se “imponimi është një akt represiv, sepse del nga një rend, sistem gjërash”. Kurse zgjedhja e lirë nënkupton përcaktimin e individit në formë të lirë, mundësinë që ai të zgjedhë midis të imponuarës dhe refuzimit, e kjo arrihet përmes referendumit individual dhe kolektiv. Refuzimi në planin letrar duhet shikuar në raportin letërsia-shoqëria dhe politika.
Refuzimi është kundërvënie ndaj imponimit, si refuzim aktiv dhe i heshtur, por refuzimi më i madh ka të bëjë me refuzimin e qenies, karakterin e saj, e që në letërsi përkthehet si refuzim estetik. Refuzimi brenda letërsisë realizohet funksionalisht, përmes elementeve dhe mjeteve letrare, siç janë: satira, sarkazmi, grotesku dhe ironia.
Çdo shoqëri e ka politikën e vet, por jo edhe artin, sepse ai është i të gjithëve, duke u ngritur mbi refuzimin ose aprovimin estetik që e përmban në vete. Si shembull për këtë Rugova e heton këtë fenomen nëpërmjet diskursit të religjiozitetit mesjetar, ku kisha e kishte kufizuar gjenerimin e ideve, duke toleruar vetëm atë tip të letërsisë që i përgjigjej ideologjisë së saj kishtare. Rugova e argumenton këtë fenomen nëpërmjet konfliktit të ideve dhe sistemit që e pengonte idenë që nuk i shkonte përshtati këtij sistemi. Rugova e përmend zhdukjen e Budit nga Vatikani, meqë ai kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke për shkak të popullaritetit dhe veprës në gjuhë të vet dhe Sami Frashëri, i cili posa solli veprën “Shqipëria…”, e mbyllën në burg shtëpiak. Pra, në mesjetë kemi një kontroll të tmerrshëm të veprave dhe autorëve të tyre, duke zhdukur nga inkuizicioni kishtar shumë vepra me karakter shkencor e filozofik.
Shija për poetët
Rugova zgjedh dy poetët simbolistë, Lasgushin e Bdëlerin, dy poetë që krijojnë vargje të kategorisë estetike, të së bukurës, kurse në rrafshin e prozës Rugova i analizon tre romanet e tre autorëve, të cilët janë shenja në letërsinë nga pikëpamje të ndryshme: te Xoxa, me romanin Lumi i vdekur, e lexon një filozofi jetësore nëpërmjet shenjave themelore të dashurisë, ekzistencës, vdekjes dhe etikës; te Kadareja, me letërsinë e tij romansore, e heton parimin e Ajsbergut dhe për zgjidhjet artistike që ky autor shquhet në romanet e tij; kurse te Sabri Hamiti me romanin Njëqind vjet vetmi e heton romanin e personalitetit. Në librin Refuzimi estetik Rugova e trajton termin refuzim në kuptimin estetik. Më pas këtë term Rugova e aplikon edhe në rrafshin praktik, duke e parë atë në vepra të ndryshme. Megjithatë, kapitulli më me peshë në këtë tekst është kërkimi i temës historike në veprat e autorëve shqiptarë dhe të huaj. Këtë temë Rugova e sheh të shumë autorë, si: Rrahmani, Kadareja, Mehmet Kraja, etj. Përfundimisht, Rugova me këta dy libra krijon një kritikë e teori në planin e analizës tekstuale e intertekstuale.
Prania e temës historike në veprat letrare
Tema historike ka qenë dhe vazhdon të mbetet një temë kërkuese nga të gjithë shkrimtarët e letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Prania e temës historike fillon me Iliadën e Homerit, pastaj me Shekspirin, me tragjeditë e tij që kanë temë historike mbretërore, italiane dhe romake, kurse në letërsinë bashkëkohore këtë temë e realizon me sukses Umberto Eko me romanin Emri i trëndafilit. Në letërsinë shqiptare romani me temë nga historia ka një prani më të theksuar për shkak të rrethanave historike. Kadareja shquhet me praninë e temës historike në romanet e tij. Në shumicën e romaneve të tij e kemi të pranishme këtë temë, si: Pashallëqet e mëdha, Kështjella, Pallati. Pastaj është Anton Pashku në romanin Oh, ku pjesa e historisë ilire në vijën e personazhit del si shtresë e ekzistencës aktuale. Është edhe Nazmi Rrahmani, me romanin Sheshi i unazës, ku duken shenjat e një qyteti të zhdukur e të përtërirë në rrjedhën e kohës. Moti i madh i Mehmet Krajës, ëshët po ashtu një vepër me temë nga historina, ku shtrihet jeta e një populli në procesin historik. Ndërkaq te romani i Ymer Shkrelit “Pikëpjekja” duken njerëzit në kontakt me historinë, duke krijuar histori. Pra, në letërsinë shqiptare kemi mjaft romane që e perceptojnë në mënyra të ndryshme historinë shqiptare. Te Pashallëqet e mëdha e kemi qëndresën shqiptare në epokën e Skënderbeut, kurse në romanin Kështjella historia del si modus ekzistence përballë metodave të sofistikuara bashkëkohore më të cilat përballet rezistenca shqiptare për mbijetesë.
Romani ynë bashkëkohor e trajton temën historike nëpër përthyerjet më sublime nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë shqiptare. Në vijëzimin e historisë, shkrimtarët tanë kanë dhënë pjesën më të mirë të dijes e imagjinatës për ta parë aspektin e historisë si dhembje e krenari, deri në nivelin e përjetësisë së saj. Tema historike në romanet shqiptare është një kategori e shpërfaqjes së një identiteti etnik përball furtunave të mëdha. Dhe, romani ynë modern bën një dehistorizim të konceptit tradicional të historisë, duke e nxjerrë historicitetin e ekzistencës njerëzore, si esencë të saj. Studiuesi i letërsisë, Sabri Hamiti, jo vetëm temën historike, por të gjitha temat shqiptare, i identifikon si albanizma, si një komunikim dhe reflektim i përhershëm kulturor, historik dhe gjuhësor të letërsisë shqiptare.
Filozofia e një romani, thelbi poetik
Rugova, në vijim të tekstit Strategjia e kuptimit, do ta analizojë romanin bashkëkohor nën filozofinë e përjetimit personal si kënaqësi e bukuri universale. Te të tre romanet bashkëkohore Rugova e heton praninë e fenomeneve jetësore që burojnë nga përvoja e jetës nën dritën e së vërtetës. Te romani Lumi i vdekur kemi një jetë, pra përshkrimin e një jete, e cila buron nga shija e të jetuarit. Romani është përvojë jetësore, i cili e paraqet botën njerëzore në një strukturë të mbyllur, që jeton sipas ligjeve të tokës e që të vetmin burim ekzistence e ka vetëm tokën. Pra, ky sistem shoqëror-njerëzor është i lidhur për këtë ambient. Më tej Rugova si ilustrim për këtë sjell disa nëntema të romanit, që lidhen me kategoritë e sipërpërmendura:
Ekzistenca, baza e këtij ambienti. “këso toke kemi ne ktej, o grizarak: të gjallit ia pi shpirtin, të vdekurin e ruan…”; Ah, ky njeriu i shkretë! Rrënjë s’ka po është i lidhur me tokën me fort se rrapi shekullor….”
Vdekja. “Gurin e varrit të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban…”, që është një formulim mjaft i qëlluar mbi këtë problem. “Kam tri ditë e tri net që po shoh se si mbin bari i vorrit, si mbin e rritet mjekrra e robit…”
Dashuria. “Dashuria është si grëmi: lidhet e shtohet më shumë nën dhe…”, “Dashuria dyshon dhe beson në të njëjtën forcë…”.
Etika. “Kur rrinë pranë e mira me të keqen, sikur i japin diçka njëra-tjetrës. Guri që shkulet nga vendi i tij e degdiset gjetiu, do kohë gjersa të zë bar përreth….”.
Me këtë roman Xoxa krijoi realizmin shqiptar, pa praninë romansore të të cilit letërsia jonë do të përjetonte një zvetënim si shenjë identitare e realizmit.