I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor viziton Kosovën, takohet me Osmanin: Na duhet një dialog strategjik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka nevojë për dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një takimi me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof të enjten në Prishtinë.
“Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha zyra e Osmanit në një njoftim për media.
Kasanof po e viziton Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Gabriel Escobarin – ku pritet të zhvillojë konsultime të rregullta me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.
Ai u prit në një takim në kryeqytet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe më vonë pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se “presim vizitë frytdhënëse, që nënvizon mbështetjen tonë afatgjate për popullin, adresimin e shqetësimeve të përbashkëta, dhe synimin për të arritur përparim për rrugën evropiane të Kosovës, si shtet i pavarur, sovran dhe shumetnik”.
Kasanof erdhi në Prishtinë pas një vizite në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë gjatë kësaj jave.
Në Serbi, ai u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, me të cilin bisedoi edhe për Kosovën, sipas liderit serb.
“Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe Metohi dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiç më 9 tetor në Instagram.
Ai shtoi se për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pret të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Por, takim mes udhëheqësve të lartë nuk ka pasur për më shumë se një vit.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash. Tensionet mes tyre i kanë rritur edhe sulmi i vitit të kaluar në Banjskë dhe mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë.
Ndërkohë, në Bosnje, Kasanof pati bisedimeve me Presidencën e Bosnje e Hercegovinës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku përsëriti se SHBA-ja “mbështet fuqishëm integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnje e Hercegovinës”.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha instrumentet në dispozicion, përfshirë sanksionet, në rast të minimit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës.
Ai akuzoi presidentin e Republikës Serbe (RS), Millorad Dodik, për sulmet ndaj Bosnje e Hercegovinës dhe u bëri thirrje autoriteteve të këtij entiteti të emërojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nga Republika Sërpska dhe t’i zbatojnë vendimet e saj. /REL/