Holandë, deri në 35 për qind e aksidenteve fatale ndodhin për shkak të alkoolit

Alkooli ka qenë faktor në 24 deri në 35 për qind të vdekjeve në aksidentet rrugore në Holandë gjatë periudhës 2019–2025, sipas vlerësimeve të një instituti holandez për sigurinë rrugore, transmeton Anadolu.

Instituti për Kërkime Shkencore mbi Sigurinë Rrugore (SWOV) vlerësoi se rreth dy të tretat e viktimave në aksidentet e lidhura me alkoolin ishin drejtues mjetesh nën ndikimin e alkoolit ndërsa një e treta tjetër përbëhej nga viktima të tjera.

Sipas studimit, në këtë grup përfshiheshin pasagjerë dhe persona që ndodheshin në automjete të tjera. Në vitin 2025, nga 180 deri në 270 persona humbën jetën në aksidente rrugore të lidhura me alkoolin, përfshirë rreth 70 persona që nuk ishin vetë drejtuesit e dehur.

Sipas SWOV-it, alkooli ishte gjithashtu faktor në 17 deri në 27 për qind të rasteve të aksidenteve rrugore që kërkuan shtrimin në spital. Studiuesja Heike Martensen i cilësoi gjetjet si “shifra tronditëse” dhe një kambanë alarmi, duke u bërë thirrje politikanëve dhe autoriteteve gjyqësore të ndërmarrin masa më të forta.

Përqindja e vdekjeve në aksidentet rrugore të lidhura me alkoolin u rrit nga 19–28 për qind në vitin 2013, në 24–35 për qind gjatë periudhës 2019–2025.

Testimet e kufizuara vështirësojnë vlerësimet

SWOV tha se përcaktimi i numrit të saktë të viktimave në aksidentet rrugore të lidhura me alkoolin mbetet i vështirë, pasi drejtuesit e mjeteve që humbin jetën në aksidente rrugore nuk i nënshtrohen rregullisht testeve për praninë e alkoolit.

“Kur një person vdes, çdo procedim penal ndërpritet. Përveç kësaj, Kushtetuta garanton paprekshmërinë e trupit, edhe pas vdekjes. Kjo e pengon policinë që t’i testojë sistematikisht të gjithë drejtuesit e përfshirë në një aksident fatal”, tha Martensen për transmetuesin publik holandez NOS.

Ajo bëri thirrje për më shumë kontrolle të alkoolit, me qëllim forcimin e zbatimit të ligjit dhe parandalimin e drejtimit të automjeteve nën ndikimin e alkoolit. “Nëse njerëzit nuk ndiejnë se ekziston rrezik real për t’u kapur, pasojat nuk u duken aq kërcënuese”, paralajmëroi ajo.

Sipas studimit, përqindja e drejtuesve të mjeteve nën ndikimin e alkoolit u rrit nga 1,7 për qind në vitin 2013, në një mesatare prej 2,3 për qind gjatë periudhës 2019–2025.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button