Hezbollahu lanson raketë në drejtim të selisë së Mossadit në Tel-Aviv
Hezbollahu ka lansuar një raketë balistike në Tel-Aviv në orët e hershme të së mërkurës, në një përshkallëzim të mëtutjeshëm pasi forcat izraelite kanë kryer sulme në Liban duke vrarë qindra persona dhe militantët kanë lansuar raketa nëpër veri të Izraelit, raporton agjencia “AP”.
Hezbollahu tha se lansoi një raketë balistike Qader 1 që synonte selinë e agjencisë së inteligjencës së Izraelit, Mossad, të cilën e fajëson për një varg vrasjesh të fundit që kishin synuar komandantët e lartë të grupit militant. Nga shpërthimet e pejxherëve dhe radiolidhjeve të Hezbollahut u vranë dhjetëra persona dhe u lënduan mijëra. Ndërsa Izraeli të hënën nisi po ashtu sulme ajrore në jug të Libanit, si pasojë e të cilave vdiqën mbi 560 persona.
Ushtria izraelite tha se është hera e parë që një raketë e lëshuar nga Libani arriti në Izraelin qendror. Hezbollahu pretendoi se kishte shënjestruar një bazë të inteligjencës në afërsi të Tel-Avivit edhe muajin e kaluar në një sulm ajror, por nuk ishte konfirmuar ky sulm. Grupi militant palestinez, Hamas, vazhdimisht ka shënjestruar Tel-Avivin në muajt e parë të luftës.