Haxhiu cakton 7 qershorin për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka caktuar 7 qershorin si datë kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se e mori vendimin për 7 qershorin pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces.

“Tani përgjegjësia është e të gjithëve, e institucioneve që të organizojnë proces të rregullt dhe transparent, por edhe të besueshëm, e subjekteve politike që të garojnë me përgjegjësi dhe respekt për qytetarët dhe qytetarëve që me votën e tyre të lirë ta përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit”, tha Haxhiu.

Haxhiu u pyet nëse emri i saj do të jetë në garë zgjedhore në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), meqë aktualisht ajo ushtron rolin e presidentes e cila nuk duhet të anojë politikisht. Për këtë, ajo tha se do të përpiqet që çdo veprim ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

“Mund të jem në garë dhe për këtë vendosin organet e Lëvizjes Vetëvendosje. Natyrisht që do të jem e kujdesshme”, shtoi ajo.

Shumica e partive politike parlamentare në Kosovë, gjatë takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Haxhiu, kanë deklaruar se preferojnë 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë dhe gjithashtu për këtë datë u shpreh fillimisht edhe KQZ-ja.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që ta zgjedhin presidentin e ri deri më 28 prill, afat që e kishte dhënë Gjykata Kushtetuese dhe rrjedhimisht bënë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare brenda 45 ditësh.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button