Gjykatësja amerikane: Mesazhet fetare të sekretares së Bujqësisë i kaluan kufijtë kushtetues

Një gjykatëse federale në Kaliforni ka vendosur se sekretarja amerikane e Bujqësisë, Brooke Rollins, i ka tejkaluar kufijtë kushtetues duke u dërguar mesazhe shprehimisht të krishtera punonjësve të departamentit përmes komunikimeve zyrtare qeveritare, transmeton Anadolu.
Në një vendim prej 21 faqesh, të nxjerrë dje, gjyqtarja e Gjykatës së Qarkut të SHBA-së, Trina L. Thompson miratoi një masë të përkohshme ndaluese lidhur me pretendimin kushtetues të punonjësve, duke konstatuar se mesazhet e sekretares Rollins për Krishtlindje dhe Pashkë krijuan presion shtrëngues ndaj punonjësve që nuk ndanin bindjet e saj fetare.
“Sekretarja duhet të njohë disa kufij kur komunikon mesazhe fetare”, shkroi Thompson, duke theksuar se zyrtarët qeveritarë nuk mund ta përdorin autoritetin e tyre për të ushtruar presion ndaj vartësve për çështje të besimit.
Gjykatësja tha se Rollins duhet të ndalet nëse një koleg i kërkon ta bëjë këtë dhe nuk mund të krijojë një mjedis armiqësor pune përmes shprehjeve të vazhdueshme dhe të padëshiruara fetare. Çështja kishte në qendër postat elektronike të dërguara të gjithë punonjësve të Departamentit të Bujqësisë të SHBA-së.
Në mesazhin e saj për Krishtlindje, Rollins e përshkroi Jezu Krishtin si shpëtimtarin që erdhi për ta çliruar njerëzimin nga mëkati, ndërsa në urimin e saj për Pashkë deklaroi: “Ai me të vërtetë është ringjallur”.
Thompson tha se Rollins dukej se “po e shfrytëzonte pozitën e saj të autoritetit” duke përdorur komunikimet zyrtare për të promovuar bindjet e saj fetare te punonjësit, të cilët pritet t’i lexojnë mesazhet e saj. “Vetëm presioni shoqëror nuk përbën shtrëngim nga shteti”, shkroi gjykatësja, duke shtuar se rrethanat dëshmonin “një presion kaq të madh saqë arrinte në nivelin e shtrëngimit”.
Megjithatë, vendimi nuk ia ndaloi sekretares Rollins të diskutonte besimin e saj me kolegët e interesuar, të ndante pikëpamjet e saj personale fetare apo të ftonte kolegët në ngjarje fetare. Gjykatësja theksoi se vendimi nuk kishte të bënte me shprehjen private të besimit nga ana e sekretares, por me kufijtë kushtetues të përdorimit të autoritetit qeveritar për promovimin e fesë.

