Turqi, mbahet aktiviteti “Ditët e Kosovës në Izmir”

Në qytetin e Izmirit në Turqi u mbajt aktiviteti “Ditët e Kosovës në Izmir” me qëllim forcimin e lidhjeve historike, kulturore dhe ekonomike midis Izmirit dhe Kosovës, raporton Anadolu.
Aktiviteti i cili u zhvillua në Qendrën Kulturore të Fabrikës Historike “Havagazi”, filloi me një minutë heshtje, pasuar nga himnet kombëtare të Turqisë dhe Kosovës si dhe shfaqja e filmave promovues për Kosovën dhe Izmirin.
Në fjalën e tij, guvernatori Suleyman Elban theksoi se e konsideron këtë program të rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ai vuri në dukje vlerën e madhe të thellimit të mëtejshëm të këtyre lidhjeve. “Besoj se përmes marrëdhënieve vëllazërore midis qeverisjeve vendore, investimeve të ndërsjella nga biznesmenët, nismave në sektorë të ndryshëm si dhe programeve të shkëmbimit të studentëve dhe mundësive arsimore për studentët në të dyja vendet, kjo marrëdhënie do të vazhdojë të zhvillohet dhe të rrënjoset edhe më thellë”, tha Elban.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se ky aktivitet do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Duke theksuar se është i dashuruar dhe bir i qytetit të Izmirit, ministri Sveçla shpjegoi se një pjesë e familjes së tij është vendosur në Izmir, gjë që ka bërë që lidhja e tyre të mos shkëputet kurrë me këtë qytet dhe se falë vizitave të tij të vazhdueshme, ai nuk ndihet aspak si u huaj në këtë qytet.
Ai tha se Turqia ka një rëndësi të madhe për Kosovën. Sipas tij, “Republika e Turqisë është vendi që jep kontributin më të rëndësishëm për kombin tonë dhe është gjithmonë në pranë. Jemi shumë krenarë për arritjet tona, pasi marrëdhëniet tona kanë arritur në një nivel edhe më të avancuar. Gjithashtu, jam shumë krenar për përpjekjet tona për prodhim të përbashkët në fushën e industrisë së mbrojtjes”.
“Përmes bashkëpunimit në këtë sektor, aktualisht po prodhojmë municione në Kosovë. Të dyja vendet kanë arritur një marrëveshje për të prodhuar së bashku armë dhe municione që përmbushin standardet e NATO-s. Marrëveshje të tilla janë të natyrës strategjike dhe duam të theksojmë se do të krijojë një vlerë të shtuar të konsiderueshme për vendin tonë”, tha Sveçla.
Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Cemil Tugay tha se Izmiri është qytet me trashëgimi të pasur kulturore. Ai theksoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimeve që kontribuojnë në zhvillimin e të dyja kombeve dhe qyteteve të tyre përkatëse, duke shtuar se planifikojnë të organizojnë një aktivitet në Kosovë, në prill të këtij viti, për të promovuar Izmirin.
Në ditën e dytë dhe të fundit të “Ditëve të Kosovës në Izmir”, kultura, arti dhe gastronomia e Kosovës do t’u prezantohen banorëve të Izmirit. Në Fabrikën Historike “Havagazi” (Tarihi Havagazı Fabrikası) do të mbahen prezantime për qytete të ndryshme të Kosovës, krahas një përzgjedhjeje të specialiteteve kulinare nga të dyja vendet.
Aktiviteti do të përfshijë gjithashtu valle popullore dhe koncerte, ku artistë nga Izmiri dhe Kosova do të ndajnë të njëjtën skenë.


