Gjykata Supreme vendos: Kamçev nuk ka të drejtë për 1.5 milion euro në rastin “Reket”

Jordan Kamçev nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim prej 1.5 milion eurosh në procedurën civile për rastin “Reket”, ka vendosur Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se ai nuk mund të konsiderohet palë e dëmtuar në këtë rast.
Siç raportoi Prisma.mk, pesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme kanë vendosur se Kamçev nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kthimin e mjeteve që i kishte dhënë, pasi më herët përmes avokatit të tij, Aleksandar Mihajlovski, kishte paraqitur kërkesë për revizion ndaj vendimeve të gjykatave më të ulëta që ia kishin refuzuar padinë.
Kamçev në vitin 2022 kishte paditur Katica Janeva, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, si dhe ish-Prokurorinë Speciale Publike, duke kërkuar kthimin solidar të parave që, sipas pretendimeve të tij, i kishte dhënë si ryshfet. Më vonë, ai hoqi dorë nga padia kundër Milevskit.
Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme thekson se paditësi ishte përfshirë në atë që e cilëson si “marrëveshje moralisht të palejueshme” me të paditurit, me qëllim që të lehtësonte pozitën e tij në rastin “Imperija”, prandaj nuk ka të drejtë të kërkojë kthimin e mjeteve të dhëna.
“Kur të dyja palët janë të pandërgjegjshme, asnjëra prej tyre nuk mund të kërkojë kthimin e asaj që është dhënë”, thuhet në vendim.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se me dhënien e parave, Kamçev kishte kryer veprën penale “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, duke shtuar se kompensimi eventual do të cenonte integritetin e sistemit gjyqësor.



