Gjiganti turk Baykar do të prezantojë municionin e ri “Mizrak” në ekspozitën e mbrojtjes SAHA 2026

Gjiganti turk i industrisë së mbrojtjes, Baykar, do të prezantojë municionin e ri inteligjent dhe autonom endës me rreze të gjatë veprimi “Mizrak” në eventin ndërkombëtar të mbrojtjes, aviacionit dhe hapësirës SAHA 2026 në Stamboll, raporton Anadolu.
Sistemi “Mizrak” ka një rreze veprimi mbi 1.000 kilometra dhe autonomi mbi shtatë orë. I emërtuar sipas fjalës turke për “shtizë”, platforma është projektuar për operacione të thella sipërfaqe–sipërfaqe dhe misione të zgjatura mbikëqyrjeje me aftësi goditjeje në kohë reale.
Municioni do të prezantohet në dy konfigurime kryesore: një variant me goditje të rëndë i pajisur me dy koka luftarake me peshë 40 kilogramë dhe një variant me një kokë luftarake prej 20 kilogramësh, i pajisur me sensor radiofrekuence për identifikim të saktë të objektivave.
Sistemi ka një hapje krahësh prej 4 metrash dhe peshë maksimale ngritjeje prej 200 kilogramësh ndërsa mund të pajiset me kamera elektrooptike dhe infra të kuqe për misione zbulimi. Ai mund të arrijë një lartësi operimi deri në 10 mijë këmbë dhe shpejtësi maksimale rreth 185 kilometra në orë, duke ofruar fleksibilitet të madh në përdorim.
Sistemi përdor autopilot të bazuar në inteligjencë artificiale dhe mund të operojë edhe pa GPS, duke u mbështetur në udhëzime vizuale dhe navigim autonom edhe në kushte të bllokimit elektronik.
Po ashtu “Mizrak” ka lidhje komunikimi deri në 80 kilometra dhe integrim me dronët luftarakë të Baykarit, përfshirë Bayraktar TB2, TB3 dhe Akinci duke u bërë pjesë e një rrjeti të gjerë operativ.



