Gazetari amerikan Tucker Carlson: Trump ishte “peng” i Netanyahut në luftën me Iranin

Komentatori politik dhe ish-prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson, ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump, ishte “peng” i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë luftës me Iranin, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për The New York Times, Carlson tha se në luftën kundër Iranit “Trump ishte më shumë një peng sesa një vendimmarrës sovran”, duke pretenduar se presidenti amerikan “po e bënte këtë kundër vullnetit të tij”.

Kur u pyet se nga kush saktësisht po mbahej “peng” Trumpi, Carlson u përgjigj: “Nga Benjamin Netanyahu dhe nga shumë mbështetës të tij në SHBA. Dhe këtë e dimë jo vetëm sepse Trump nisi luftën më 28 shkurt, por sepse ai nuk mund të dilte prej saj”.

Carlson tha se vetëm disa orë pasi Trump shpalli një armëpushim me Iranin më 8 prill, “Izraeli publikisht, në një mënyrë të tillë që synonte të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve, përfshirë iranianët, fillon të vrasë civilë në Liban”.

Ai argumentoi se qëllimi i kësaj ishte “të mbyllte çdo diskutim për një zgjidhje të negociuar, për ta mbajtur situatën deri në shkatërrimin dhe kaosin e Iranit, që është qëllimi izraelit”.

“Trump tha dua një zgjidhje të negociuar. Izraeli e ndaloi zgjidhjen. Trump refuzoi madje edhe të kritikojë publikisht Netanyahun. Po talleni? Kjo është skllavëri. Është kontroll total i një njeriu nga një tjetër”, tha Carlson.

Carlson më parë ka qenë një nga aleatët më të zëshëm mediatik të Trumpit. Në Konventën Kombëtare Republikane të vitit 2024, ai tha se mbijetesa e një atentati ndaj Trumpit gjatë fushatës presidenciale ishte “ndërhyrje hyjnore”, duke u shprehur se Zoti e kishte ruajtur për një qëllim.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button