Gashi uron Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen presidente të Kosovës: Një kapitull i ri për vendin

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen në postin e presidentes së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm institucional për vendin.

Përmes një statusi në Facebook, Gashi i përcolli urimet e tij të përzemërta presidentes së zgjedhur, duke shprehur bindjen se përvoja e saj akademike, institucionale dhe publike do të kontribuojë në forcimin e institucioneve dhe të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Presidentes së zgjedhur të Republikës së Kosovës, akademikes Justina Shiroka Pula, i përcjell urimet e mia të përzemërta për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë shtetërore”, shkroi Gashi.

Ai vlerësoi se zgjedhja e presidentes së re shënon hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, me rëndësi për konsolidimin e institucioneve, stabilitetin dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendit.

“Dita e sotme për Kosovën hap një kapitull të ri dhe shënon një moment të rëndësishëm institucional për konsolidimin dhe forcimin e institucioneve, për stabilitetin dhe avancimin e perspektivës europiane të vendit”, theksoi kryeparlamentari.

Gashi shprehu gjithashtu besimin se Shiroka Pula do të kontribuojë në kultivimin e unitetit, dialogut dhe bashkëpunimit në Kosovë, si dhe në forcimin e pozitës së shtetit në skenën ndërkombëtare.

Në fund, ai i uroi mandat të suksesshëm presidentes së zgjedhur, duke theksuar rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Shpreh bindjen se marrëdhëniet e mira vëllazërore dhe bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të thellohen”, përfundoi Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button