Gashi: Autostrada Shkup–Bllacë do të forcojë lidhjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, e ka cilësuar vendosjen e gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë si një hap të rëndësishëm për realizimin e këtij projekti strategjik infrastrukturor.

Gashi, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, si dhe zyrtarë të tjerë të të dyja vendeve.

“Vendosja e gurëthemelit për fillimin e punimeve të autostradës Shkup–Bllacë shënon një hap të rëndësishëm të këtij projekti strategjik infrastrukturor”, ka shkruar Gashi.

Sipas kryeparlamentarit, realizimi i projektit dëshmon përpjekjet për përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Pata nderin, që bashkë me kryeministrat Mickoski dhe Kurti, si dhe funksionarë të të dyja shteteve, të jem pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila dëshmon përpjekjet serioze për përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, është shprehur Gashi.

Ai ka vlerësuar se autostrada do të sjellë përfitime për qytetarët, ekonominë dhe qarkullimin ndërkufitar, duke u bërë thirrje institucioneve të të dyja vendeve që të vazhdojnë bashkëpunimin për përfundimin e projektit.

“Ky projekt padyshim se do të sjellë përfitime të rëndësishme për qytetarët, ekonominë dhe qarkullimin ndërkufitar. Përgëzoj dhe inkurajoj institucionet e vendeve që të angazhohen me përkushtim dhe bashkëpunim për finalizimin e projektit, në mënyrë që të vazhdojmë të forcojmë lidhjet tona”, ka deklaruar Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button