Franca i referon prokurorisë akuzat për abuzim ndaj aktivistëve të flotiljes për Gazën

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, ka deklaruar se Franca ia ka referuar prokurorisë akuzat për abuzim ndaj aktivistëve francezë të ndaluar në bordin e flotiljes humanitare Sumud, pasi mori raportime që mund të përbëjnë vepra penale, transmeton Anadolu.
Duke folur për radion France Inter, Barrot tha se ka kërkuar një raport nga konsulli i përgjithshëm i Francës në Turqi pas ndalimit të shtetasve francezë nga forcat izraelite të sigurisë.
“Në bazë të një raporti që kërkova nga konsulli ynë i përgjithshëm në Turqi, i cili detajonte dhunë seksuale, ekspozim ndaj të ftohtit, rrahje dhe poshtërim të përsëritur të qytetarëve francezë, të gjitha këto përbëjnë vepra penale, vendosa dje t’ia referoj çështjen prokurorit publik sipas Nenit 40 të Kodit të Procedurës Penale”, tha Barrot.
“Kjo çështje tani është në duart e sistemit të drejtësisë,” shtoi ai.
Ministri francez gjithashtu tha se më herët ka thirrur ambasadorin e Izraelit në Francë pasi mësoi për atë që e përshkroi si “veprime të papranueshme” nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Pas atij takimi, Barrot kujtoi se ka vendosur t’i ndalojë Ben-Gvirit hyrjen në territorin francez.
Sipas tij, prioriteti i Francës mbetet garantimi i sigurisë së qytetarëve të saj jashtë vendit, përfshirë ata që marrin pjesë në aksione si misioni i flotiljes, të cilin tha se Parisi e ka “kundërshtuar shumë fuqishëm”.
Ai theksoi se vendimi për t’ia referuar akuzat prokurorisë bazohej në informacionin e dhënë nga zyrtarët francezë që u takuan me aktivistët pas ndalimit të tyre.
“Tani i takon sistemit të drejtësisë të vendosë nëse do të nisë apo jo procedurat”, tha ai.
Të hënën e kaluar, ushtria izraelite sulmoi në ujërat ndërkombëtare flotiljen humanitare globale Sumud, e nisur drejt Gazës. Transmetimet live nga flotilja treguan forcat detare izraelite duke ndaluar secilën anije.
Më vonë, një video e publikuar nga Izraeli, ku shfaqej Ben-Gvir duke ecur mes aktivistëve të ndaluar që ishin gjunjëzuar në formacione të ngjeshura dhe me duart e lidhura, shkaktoi reagime të ashpra në mbarë botën.
Në pamje, Ben-Gvir duket duke valëvitur një flamur izraelit dhe duke tallur të ndaluarit.
Pas lirimit të tyre, vullnetarët e ndihmës humanitare nga 41 vende, përfshirë 85 shtetas turq që ishin pjesë e flotiljes, u evakuuan drejt Turqisë.



