“Fluturonte” me 221 km/h në autostradë në Maqedoninë e Veriut – arrestohet shtetasi serb

Një shtetas serb është arrestuar pasi është kapur duke drejtuar një automjet me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë në autostradën Shkup–Gjevgjeli.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, zyrtarët policorë nga SPB Gjevgjeli, gjatë një kontrolli të rregullt të trafikut me radar, kanë matur se shoferi 60-vjeçar po drejtonte një automjet “BMW” me targa serbe me shpejtësi prej plot 221 kilometrash në orë.
Shkelja është konstatuar në afërsi të Miletkovës, në një segment rrugor ku shpejtësia maksimale e lejuar është 120 kilometra në orë.
Pas konstatimit të shkeljes, shoferi është privuar nga liria, ndërsa automjeti i tij është konfiskuar. Ai është mbajtur në stacion policor deri në përfundimin e procedurës.
Nga MPB-ja njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës në përputhje me dispozitat ligjore.



