Filipine, 6 nxënës të vdekur dhe 17 të tjerë të plagosur nga të shtënat me armë në një shkollë

Të paktën gjashtë nxënës u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën sot nga të shtënat me armë në një shkollë të mesme në Filipine, njoftoi Departamenti i Mirëqenies Sociale dhe Zhvillimit të vendit, transmeton Anadolu.
Të shtënat ndodhën në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga në qytetin Banga në provincën Cotabato Jugore. Autori që dyshohet të jetë vetë nxënës, është midis të vdekurve, raportoi GMA Network.
Pas incidentit u pezullua mësimi në të gjitha nivelet në të gjithë Bangën, tha Zyra e Reduktimit dhe Menaxhimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë Komunale të Bangës.
Departamenti i Arsimit tha se është “thellësisht i shqetësuar” nga të shtënat dhe po koordinohet me zyrtarët e shkollave, autoritetet lokale dhe agjencitë e zbatimit të ligjit për të përcaktuar rrethanat dhe për të ofruar ndihmë.
“Prioriteti ynë i menjëhershëm është siguria dhe mirëqenia e nxënësve, mësuesve dhe personelit të shkollës”, tha departamenti. Ai tha se ndihma e parë psikologjike si dhe mbështetja e shëndetit mendor dhe psikosociale, do t’u vihen në dispozicion të prekurve.
Departamenti i kërkoi publikut të përmbahet nga përhapja e informacionit të paverifikuar ndërsa autoritetet hetojnë të shtënat.
Sulmi i sotëm ndodhi një muaj pas të shtënave me armë në Universitetin “Ateneo de Zamboanga” në jug të Filipineve, ku mbetën të vdekur dy studentë, përfshirë edhe studentin e armatosur, më 18 gusht.
Autoritetet ende nuk kanë zbuluar një motiv të mundshëm për të shtënat e fundit.


