Fidan: Turqia do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për paqen dhe rindërtimin e Sudanit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se Ankaraja do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit të vazhdueshëm në Sudan, për përmbushjen e nevojave humanitare të popullit sudanez dhe për të kontribuar në rindërtimin e vendit.

“Ne deklaruam se do të vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në vend; do ta vazhdojmë punën tonë për përmbushjen e nevojave humanitare të vëllezërve dhe motrave tona sudaneze; dhe do të vazhdojmë ndihmën tonë për zhvillim gjatë procesit të rindërtimit të Sudanit”, tha Fidan në X.

Deklaratat e ministrit Fidan erdhën gjatë pritjes së ministrit sudanez për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Mohieddin Salem, në kryeqytetin Ankara.

Kryediplomati turk tha se të dyja palët zhvilluan bisedime gjithëpërfshirëse mbi marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare dypalëshe.

Fidan shtoi se ai dhe Salem zhvilluan gjithashtu konsultime të gjera mbi zhvillimet rajonale, veçanërisht në Bririn e Afrikës, si dhe mbi çështjet e sigurisë globale.

Dy ministrat nënshkruan gjithashtu një memorandum mirëkuptimi (MOU) për bashkëpunimin mes Akademisë së Diplomacisë të Ministrisë së Jashtme të Turqisë dhe Institutit Diplomatik të Ministrisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Sudanit.

Duke rikonfirmuar qëndrimin e Turqisë ndaj Sudanit, Fidan tha: “Ne do të vazhdojmë qëndrimin tonë parimor në mbështetje të ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Sudanit, me të cilin ndajmë lidhje historike dhe të rrënjosura thellë, dhe do të vazhdojmë t’i thellojmë marrëdhëniet tona mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe partneritetit të barabartë”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button