Europoli godet rrjetin e mashtrimeve, call-center të dyshuar edhe në Maqedoninë e Veriut!

Maqedonia e Veriut është mes vendeve ku janë identifikuar kol-centra të dyshuar për mashtrime me investime, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që dyshohet se ka mashtruar qytetarë në mbi 50 shtete.
Në një aksion të koordinuar më 3 nëntor, me mbështetjen e Europolit dhe Eurojustit, janë sekuestruar mbi 100 serverë dhe janë arrestuar shtatë të dyshuar. Në operacion morën pjesë autoritetet e Maqedonisë, Shqipërisë, Qipros, Finlandës, Gjermanisë, Izraelit dhe Kosovës.
Sipas Europolit, një kompani dyshohet se siguronte platforma të rreme për tregtim online, të cilat përdoreshin nga grupet kriminale për të mashtruar qytetarët. Hetuesit kanë identifikuar klientë të dyshuar të kompanisë që drejtonin kol-centra në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.
Viktimat joshnin përmes reklamave në internet dhe u premtohej fitim i shpejtë nga investimet në kriptovaluta, valuta dhe aksione. Fillimisht kërkoheshin shuma të vogla, ndërsa në profilet e tyre shfaqeshin fitime fiktive, për t’i bindur të investonin gjithnjë e më shumë. Kur kërkonin tërheqjen e parave, përballeshin me vonesa dhe ndërprerje të komunikimit.
Dëmi financiar nga mashtrimet e hetuara vlerësohet në mbi katër milionë euro.
Gjatë aksionit janë kryer kontrolle në 17 lokacione, ndërsa të arrestuarit dyshohet se do të ekstradohen në Gjermani. Hetimi, i nisur në vitin 2022 nga Prokuroria në Itzehoe, ka zbuluar një model ku infrastruktura teknike për mashtrime ofrohej si shërbim për grupe të ndryshme kriminale.
Europoli nuk ka bërë të ditur sa kol-centra janë identifikuar në Maqedoni, nëse ka shtetas maqedonas mes të arrestuarve apo nëse janë kryer bastisje në vend.

