Entitete të lidhura me Izraelin të përfshira në një fushatë globale dezinformimi kundër muslimanëve

Një operacion ndikimi i lidhur me entitete me bazë në Izrael ka shpenzuar rreth 6.12 milionë paund (8.2 milionë dollarë) për promovimin e teorive konspirative kundër muslimanëve në më shumë se 30 vende, transmeton Anadolu.

Raporti, i titulluar “Fabrikimi i Zëvendësimit të Madh” (Manufacturing The Great Replacement), zbuloi se fushata u zhvillua nga tetori i vitit 2023 deri në tetor të vitit 2026, duke gjeneruar rreth 800 milionë ekspozime ndaj reklamave në Evropë, Amerikë, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Studiuesit Marc Owen Jones dhe Sohan Dsouza e përshkruan operacionin si “një nga fushatat më të mëdha të ndikimit dhe dezinformimit të dokumentuara ndonjëherë”.

Sipas raportit, fushata përhapi narrativa raciste, kundër muslimanëve, migrantëve, Katarit dhe Iranit përmes reklamave në rrjetet sociale, videove të krijuara me inteligjencë artificiale, muzikës, parodive të lojërave elektronike dhe pamjeve filmike të ripërdorura.

Njëra prej fushatave, e titulluar “Grand Theft Qatar”, paraqiste shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe duke blerë ndërtesa në Evropë dhe duke i shndërruar ato në xhami.

Reklama të tjera përmbanin slogane të tilla si “KJO ËSHTË NJË PUSHTIM” dhe “KATARI PO E ISLAMIZON EVROPËN”.

Fushata promovonte teorinë e “Zëvendësimit të Madh”, një teori konspirative e demaskuar e nacionalistëve të bardhë, sipas së cilës migrimi dhe ndryshimet demografike po përdoren qëllimisht për të zëvendësuar evropianët e bardhë me popullsi jo të bardha.

 

– Studiuesit e lidhin operacionin me entitete me bazë në Izrael

Dsouza tha për gazetën The National se studiuesit nuk mundën t’ia atribuonin përfundimisht operacionin qeverisë izraelite.

“Ne nuk mund të pohojmë me të vërtetë se bëhet fjalë patjetër për Izraelin. Por provat tregojnë se entitetet e përfshira në këtë operacion janë me bazë në Izrael dhe kanë lidhje me operacione ndikimi të drejtuara nga qeveria izraelite”, tha ai.

Studiuesit gjurmuan operacionet fillestare të fushatës deri në Izrael, përmes kompanive ndërmjetëse vietnameze. Pas masave të ndërmarra nga Meta në maj të vitit 2024, operacioni u rishfaq në nëntor dhe më vonë kaloi te entitete korporative braziliane.

Hetimi identifikoi 1.473 reklama në Facebook, 189 video në YouTube, 359 reklama në TikTok dhe 105 video të publikuara nga llogari në TikTok.

Studiuesit shqyrtuan gjithashtu 406 komente në reklamat në Facebook që synonin audiencën në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2024, duke konstatuar se 61 për qind e tyre shprehnin mbështetje për pikëpamje islamofobike.

Meta pranoi në vitin 2024 se operacioni kishte shpenzuar 900.000 paund për reklama në platformat e saj.

“Ne po punojmë vazhdimisht për të identifikuar dhe ndërprerë sjelljet e koordinuara joautentike”, tha kompania për gazetën The National.

Meta shtoi se standardet e saj të komunitetit ndalojnë gjuhën e urrejtjes, dezinformimin e dëmshëm, sjelljet mashtruese dhe aktivitetet e koordinuara joautentike.

Studiuesit bënë thirrje për rregullim më të rreptë nga qeveritë, përfshirë kërkesa më të forta për verifikimin e identitetit të reklamuesve në rrjetet sociale dhe veprime më të shpejta kundër fushatave të koordinuara të ndikimit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button