Emra të rinj për ambasadorë të Maqedonisë, mes tyre shqiptarë, ja kush janë?

Qeveria ka bërë gati listën e ambasadorëve të rinj që do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në disa prej misioneve diplomatike jashtë vendit. Në mesin e emrave të propozuar janë diplomatë karriere, por edhe persona nga fusha të tjera profesionale, ndërsa disa prej tyre do të marrin mandat të dytë në postet ku tashmë shërbejnë, transmeton portali zyrtare.net.
Në seancë qeveritare ka kaluar emri i Driton Kuçit, për ambasador në Oslo të Norvegjisë, dhe Elma Altorok, për ambasadore në Kajro të Egjiptit.
Ndërkohë, Kuçi tashmë është ambasador në Oslo dhe ky do të jetë mandati i tij i dytë, ndërsa Altorok është aktualisht ushtruese e detyrës në ambasadën në Kajro.
Sipas informacioneve jozyrtare nga burime qeveritare për „Sloboden Peçat“, Filip Pashu është zgjedhur ambasador i Maqedonisë në Athinë. Më 31 dhjetor 2021, ai ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit të NP „Parkingjet e Qytetit“, ku më herët kishte punuar edhe si zëvendësdrejtor dhe kryetar i Bordit Drejtues.
Në Budapest, Maqedoninë do ta përfaqësojë Tatjana Loparski, ish-gazetare dhe tash pronare dhe drejtoreshë ekzekutive e një prej agjencive kryesore të PR-së në Maqedoni, „Element PR“. Ajo konsiderohet eksperte për marrëdhëniet me publikun.
Avokati Jasmin Kalaç është zgjedhja e Qeverisë për ambasador në Sarajevë. Kalaç nuk është ndër avokatët më të njohur që janë angazhuar në raste të bujshme, përveç faktit se është i angazhuar në rastin „Puls“ për tragjedinë në Koçan, si mbrojtës i ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Selami.
Më herët janë zgjedhur edhe katër ambasadorë të tjerë, të cilët presin mbrojtjen e tezave në Kuvend. Në Bullgari do të shkojë Krum Efremov, diplomat karriere, i cili më parë ka qenë ambasador në Ukrainë.
Gabriel Atanasov do të jetë ambasador në Rumani, ku më parë kishte shërbyer gjithashtu.
Muharem Jusufi, i punësuar në Ministrinë e punëve të Jashtme do të jetë ambasador në Stokholm, Suedi, ndërsa në Prishtinë do të na përfaqësojë Katerina Todorovska.



