Ekspertët e OKB-së: Dhuna seksuale ndaj palestinezëve është “mjet i pushtimit izraelit”

Ekspertët e OKB-së kanë deklaruar se dhuna seksuale dhe e bazuar në gjini po përdoret si një “mjet sistematik” kontrolli dhe shtypjeje ndaj palestinezëve nën pushtimin izraelit, duke paralajmëruar se këto veprime mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, transmeton Anadolu.
“Dhuna seksuale izraelite është bërë pjesë e përditshmërisë së palestinezëve nën pushtim. Ajo është e ndërthurur, strukturore dhe sistematike dhe vepron si mjet kontrolli, nënshtrimi dhe zhvendosjeje”, thanë ekspertët në një deklaratë.
Ekspertët thanë se abuzimet ndodhin në kontekste të ndryshme, përfshirë ndalimet, pikat e kontrollit dhe bastisjet e shtëpive, si dhe përfshijnë forcat izraelite dhe kolonët.
Ata shprehën shqetësim për mosndëshkimin e gjerë, duke theksuar se hetimet janë të rralla dhe përgjegjësia pothuajse mungon.
“Lehtësia politike, si dhe interesat strategjike, ushtarake dhe ekonomike, vendosen mbi jetët e palestinezëve”, thanë ata, duke paralajmëruar se mosveprimi “godet vetë bazën e së drejtës ndërkombëtare”.
Duke iu referuar gjetjeve të mëparshme të OKB-së, ekspertët thanë se dhuna përdoret për “të terrorizuar” palestinezët dhe për të kontribuar në zhvendosjen e detyruar duke krijuar një mjedis shtrëngues.
“Dhuna e seksualizuar përdoret si metodë dominimi, për të mbjellë frikë, për të ndëshkuar dhe për të copëzuar komunitetet”, thanë ata.
Ekspertët i bënë thirrje Izraelit të ndalojë këto praktika dhe kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa konkret për të siguruar përgjegjësi dhe për t’i dhënë fund “klimës së mosndëshkimit që shtrihet si mbi shtetin ashtu edhe mbi kolonët e paligjshëm”.



