Edhe një aktivist tjetër rus kundër luftës detyrohet të largohet nga Serbia

Serbia nuk ia ka pranuar kërkesën për qëndrim të përkohshëm edhe një aktivisti tjetër rus kundër luftës, duke e urdhëruar atë të largohet nga vendi, tha të mërkurën Shoqëria Demokratike Ruse.

Kjo organizatë joqeveritare tha në një komunikatë se ky vendim “tregon se fatkeqësisht po vazhdon përndjekja në Serbi e shtetasve rusë për shkak të qëndrimeve të tyre kundër luftës”.

Ministria e Brendshme e Serbisë (MUP) tha më 16 shtator e hodhi poshtë kërkesën e Anton Bobryshevit për leje të përkohshme qëndrimi dhe e urdhëroi të largohet nga vendi brenda 30 ditëve.

Tri ditë më vonë, MUP-i e lëshoi një vendim të ri duke e urdhëruar atë të largohet nga vendi brenda 30 ditëve.
Petr Nikitin nga Shoqëria Demokratike Ruse tha për Radion Evropa e Lirë se Bobryshev është ankuar ndaj të dyja vendimeve.

Avokati i Bobryshevit gjithashtu paraqiti një kërkesë në Gjykatën Administrative për ta shtyrë urdhrin për largimin nga vendi, i cili nuk mund të zbatohej gjatë procesit të ankesës ndaj refuzimit të qëndrimit të përkohshëm.

Nikitin tha se Bobryshev mori pjesë në protesta në Beograd kundër luftës dhe organizoi një protestë në qershor 2023 në Pançevë, një qytet në verilindje të Beogradit, në mbështetje të politikanit opozitar dhe kritikuesit të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili vdiq në burg në Rusi në shkurt.

Radio Evropa e Lirë i kërkoi Ministrisë së Brendshme (MUP) të sqarojë vendimin për të mos e lejuar Bobryshevin të qëndrojë përkohësisht në Serbi, por nuk mori përgjigje.

Bobryshev dhe gruaja e tij u zhvendosën në Serbi tetë vjet më parë.
Anulimi i lejeve të qëndrimit të përkohshëm për disa anëtarë të diasporës ruse që morën pjesë në protestat kundër luftës filloi në verën e vitit 2023, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj ish-drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, për lidhjet e tij me Rusinë.

Në korrik 2023, një leje qëndrimi e përkohshme iu refuzua aktivistit kundër luftës Vladimir Volokhonsky, dhe një muaj më vonë edhe Yevgeny Irzanskyt. Të dy kishin shprehur një qëndrim të qartë kundër luftës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Në të dy rastet, MUP-i tha se kishte “pengesa sigurie” për zgjatjen e qëndrimit të tyre.

Në mars 2024, MUP-i refuzoi t’i lëshonte leje qëndrimi të përhershme një familjeje ruse me tre anëtarë. Arsyeja e refuzimit lidhej gjithashtu me sigurinë.

Shembull më i fundit është rasti i Yelena Koposova, një shtetase ruse, kërkesa për qëndrim të përhershëm e së cilës u refuzua për herë të dytë në gusht. MUP-i shpjegoi vendimin duke thënë se shërbimi i sigurisë kishte të dhëna “që përbëjnë pengesë për miratimin e kërkesës së saj”.

Koposova, përkthyese letrare nga Shën Petersburgu, u zhvendos në Serbi me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj në vitin 2019 dhe bleu një shtëpi.

Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për dy vjet e gjysmë, dhe zyrtarët serbë janë ndër të paktët në Evropë që takohen me zyrtarët e Kremlinit. /REL

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button