Durmishi: Bizneset vendore janë shtyllë e zhvillimit ekonomik, mbështetja mbetet prioritet

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, gjatë një vizite në Komunën e Zhelinës, ka zhvilluar takime me disa kompani vendore, ku është njohur nga afër me aktivitetin dhe sfidat e sektorit privat.
Ai theksoi rëndësinë që kanë bizneset për ekonominë lokale, duke nënvizuar se ato përbëjnë një faktor kyç për zhvillimin dhe punësimin. “Nga afër u njoftova me punën, përkushtimin dhe sfidat me të cilat përballen bizneset, të cilat janë shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik lokal,” deklaroi Durmishi.
Ministri gjithashtu bëri të ditur se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin sektorin privat përmes politikave konkrete dhe instrumenteve financiare. “Mbështetja e sektorit privat mbetet prioritet, me qëllim krijimin e një ekonomie më të fortë dhe më konkurruese,” u shpreh ai.
Gjatë vizitës, Durmishi vizitoi disa kompani që operojnë në këtë komunë, duke përfshirë edhe një investim që është zhvendosur nga Zvicra në Maqedoninë e Veriut, si dëshmi e potencialit për zhvillim dhe tërheqje të kapitalit.



