Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik në Shkup Samir Iseni viziton ekipet e motrave patronazhe

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik në Shkup Samir Iseni, ka njoftuar se sot ka vizituar ekipet e motrave patronazhe, të cilat sipas tij, punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm, edhe në kushte të vështira me borë dhe temperatura të ulëta.
“Angazhimi ynë është t’i mbështesim me mjete transporti për të arritur çdo familje në nevojë.
Vizita e patronazhit nuk është thjesht një shërbim shëndetësor, por një mision që ruan dhe përmirëson shëndetin e nënave dhe fëmijëve, duke dhënë asistencë dhe edukim për kujdesin në shtëpi.
Patronazhi i Poliklinikës së Çairit ka mbuluar edhe Lubotenin, Bllacën, Lubancin, Vizbegun dhe Malin e Karadakut, duke ofruar shërbime shëndetësore në këto zona të pasiguruara më parë. Në dy muajt e fundit, janë vizituar mbi 400 pacientë, duke siguruar akses më të madh në kujdesin shëndetësor dhe duke ndihmuar në zvogëlimin e pabarazive në aksesin mjekësor. Ky hap është një ndihmë e madhe për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në këto zona.
Përkushtimi i tyre është frymëzim, dhe ne qëndrojmë pranë tyre për të siguruar mbështetjen që meritojnë”, ka deklaruar Samir Iseni, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Publik- Shkup.