DPHM paralajmëron: Alarm i verdhë meteorologjik në gjithë vendin, i mundur mot me breshër dhe stuhi

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka lëshuar alarm të verdhë meteorologjik për të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, duke paralajmëruar se edhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojë periudha e motit të paqëndrueshëm.
Sipas parashikimit, gjatë ditës priten reshje të herëpashershme shiu, reshje intensive lokale, bubullima dhe erë e fuqizuar. Në disa zona ekzistojnë kushte për zhvillimin e motit të lig, të shoqëruar me breshër.
Meteorologët paralajmërojnë edhe erë mesatare nga veriu, e cila përgjatë luginës së Vardarit herë pas here do të forcohet dhe do të arrijë shpejtësi mbi 60 kilometra në orë.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë lëvizjes në ambiente të hapura, të shmangin qëndrimin nën pemë dhe pranë objekteve apo konstruksioneve të paqëndrueshme, si dhe të ndjekin informacionet më të fundit për motin, duke pasur parasysh pasojat që stuhia e fuqishme e djeshme shkaktoi në disa pjesë të vendit.



