Dokument zyrtar dëshmon: Gjenerali Besnik Emini që u largua nga pozita ka qenë pjesë e ushtrisë maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001

Një dokument zyrtar i lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë dëshmon se Besnik Emini, i cili së fundmi është larguar nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve në ARM, ka qenë pjesë e forcave ushtarake maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001, njofton Pacenzurë.
Sipas dokumentit, i cili mban firmën e një gjeneral majori të ARM, Emini ka shërbyer nga 25 marsi deri më 31 dhjetor 2001, duke marrë pjesë në veprime ushtarake në mbrojtje të sovranitetit të Maqedonisë. Ky fakt tregon se ai ka qenë pjesë aktive e forcave maqedonase në periudhën kur Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) zhvillonte luftime në territoret shqiptare.
Këto të dhëna hedhin një dritë të re mbi figurën e tij dhe mund të sjellin reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht pas kritikave për largimin e tij nga posti i rëndësishëm ushtarak.
Zhvendosja e tij nga një pozicion kyç në një rol administrativ është cilësuar si “deshqiptarizim i forcave të sigurisë”, një akuzë e drejtuar ndaj partisë në pushtet nga deputeti Arbër Ademi. Megjithatë, ky dokument zyrtar mund të ngrejë pyetje të reja mbi të kaluarën ushtarake të Eminit dhe rolin e tij në ngjarjet e vitit 2001.
A do të ketë reagime nga vetë Besnik Emini mbi këto fakte të publikuara? Mbetet për t’u parë.