Detaje të reja nga ngjarja në Podujevë, katër të plagosurit raportohen jashtë rrezikut për jetën

Katër personat e plagosur gjatë incidentit të armatosur në Podujevë po marrin trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në ambientet jashtë klinikës janë mbledhur familjarë të të lënduarve, ndërsa në zonë janë angazhuar edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, deklaroi se të katër të plagosurit kanë marrë plagë të rënda, por gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve, konflikti që përfundoi me përdorimin e armëve ka ndodhur mes dy familjeve, të cilat kanë lidhje farefisnore në raport dajë-nipër.
Policia e Kosovës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


