Debat në Këshillin e Tetovës: VLEN pranon kërkesën e BDI-së për emrat

Mbledhja e radhës e Këshillit Komunal të Tetovës, e mbajtur sot, është shoqëruar me debate dhe replika të ashpra mes këshilltarëve të shumicës dhe opozitës.
Në fillim të seancës, grupi i këshilltarëve të BDI-së propozoi që në rendin e ditës të përfshihet pika për riemërtimin e rrugëve në Tetovë. Shumica e përbërë nga VLEN e pranoi propozimin për ta futur këtë çështje në rend dite.
Megjithatë, debatet vazhduan pasi këshilltarët e BDI-së kërkuan që riemërtimi i rrugëve të jetë pika e parë e rendit të ditës.
Nga ana tjetër, shumica u thirr në Rregulloren e punës së Këshillit Komunal, sipas së cilës propozimet plotësuese të rendit të ditës shqyrtohen në fund të rendit të ditës dhe jo në fillim të seancës.
Diskutimet mes dy palëve u shoqëruan me replika të shumta, ndërsa mbetet të shihet se kur do të vijë në shqyrtim pika për riemërtimin e rrugëve, e cila së fundmi është bërë një nga temat më të debatueshme në skenën politike lokale dhe qendrore.



