Ceferin thotë se nuk do ta sfidojë presidentin e FIFA-s, Infantino, por i kërkon të japë dorëheqjen

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, tha se nuk do të sfidojë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, por paralajmëroi se Infantino mund të përballet me një rival nëse kandidon për rizgjedhje në mars, transmeton Anadolul.
Infantino është përballur me presion në rritje pasi braktisi një plan për të shitur aksione në Kupën e Botës investitorëve privatë. UEFA dhe konfederatat e tjera e kundërshtuan propozimin, ku UEFA gjithashtu kërcënoi so do të bojkotonte garat e FIFA-s.
Ceferin e kritikoi planin në një intervistë me podkastin The Rest is Politics: Leading, duke e quajtur atë “madje edhe më keq se plani i Superligës”.
“Jam absolutisht i sigurt se plani (FFE) ka vdekur. Për mua, gjëja më e rëndësishme është që ne ndaluam një përpjekje tjetër për të shitur sportin.” tha ai.
Ceferin tha se Infantino tani ka dy opsione: të japë dorëheqjen pasi ka humbur mbështetjen e komunitetit të futbollit ose të konkurrojë në zgjedhje dhe të përballet me një sfidues.
“Një opsion është që ai të kuptojë se nuk e ka mbështetjen dhe kjo nuk është vetëm mbështetja politike e atyre që votojnë, por mbështetja politike e komunitetit të futbollit, mbështetja politike e tifozëve, mbështetja politike e lojtarëve, ish-lojtarëve, trajnerëve.
“Dhe opsioni i dytë (është) që ai të shkojë në zgjedhje në mars, por në atë rast, unë mendoj se ai do të ketë një kandidat kundër tij. Nuk e di ende se kush”, tha Ceferin.
Infantino ka udhëhequr FIFA-n që nga viti 2016 dhe kishte gjasa të fitonte rizgjedhjen pa kundërshtarë në Marok vitin e ardhshëm. FIFA ka caktuar 18 Nëntorin si afatin e fundit për kandidatët për të nominuar.
Ceferin, 58-vjeç, është përmendur si një sfidues i mundshëm, por ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për president të FIFA-s, duke thënë se ai mbetet i përkushtuar ndaj UEFA-s.
“Nuk jam i interesuar për dy arsye. Një arsye është se unë e dua UEFA-n dhe më pëlqen të punoj këtu, dhe mendoj se në një moment të caktuar… është koha të shijoj edhe pak jetën.
“Dhe pika e dytë është, besueshmëria ime është shumë, shumë më e lartë nëse nuk jam i interesuar për pozicionin” deklaroi ai.
I pyetur nëse Infantino ishte afruar shumë me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, me të cilin ai lidhi një marrëdhënie të ngushtë para Kupës së Botës së fundit, Ceferin tha: “Të jem i sinqertë, unë mendoj se jeni naiv nëse mendoni se një politikan i tillë, apo ndonjë politikan, është miku juaj i mirë. Në momentin që jeni problem, ju ndaloni së qeni mik i një politikani”.



