Cameron mashtrohet nga rusët, jep detaje nga takimet me dyer të mbyllura

Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, është viktima e fundit e shakaxhinjve të famshëm rusë Vovan (Vladimir Kuznetsov) dhe Lexus (Alexei Stolyarov), të cilëve u tha në një bisedë se Ukraina nuk do të merrte ftesë për t’u anëtarësuar në NATO në samitin e ardhshëm të Aleancës nga 9 deri më 11 korrik, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kundërshtojnë atë.
Vovan dhe Lexus, të cilët u prezantuan si ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, në një bisedë që u zhvillua në fillim të qershorit dhe u publikua sot, pyetën ministrin e Jashtëm britanik për samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në korrik nw Uashington.
“Unë mbështes anëtarësimin e Ukrainës në NATO. E kam bërë gjithmonë këtë dhe jam i sigurt se do të ndodhë, por këtë herë nuk do ta bëjmë atë ftesë. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të mos debatojmë për këtë… Nuk duhet të kemi një mosmarrëveshje midis NATO-s dhe Ukrainës,” tha Cameron në një bisedë me rusët.
Ai tha gjithashtu se Britania e Madhe i kërkon privatisht Francës që të mos përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë, pra të mos dërgojë trupa në zonën e luftimit, sepse në të kundërtën, sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin “do të ketë një objektiv të ri”.
Megjithatë, sipas tij, Britania e Madhe nuk planifikon të debatojë me Francën për këtë.
“Ne thjesht po përpiqemi t’u themi atyre: Le të mendojmë se çfarë mund të bëjmë që në fakt do të ndihmonte Ukrainën, por jo do të përshkallëzohej,” shtoi Cameron.
Cameron ndau gjithashtu detaje nga takimi i tij me dyer të mbyllura me ish-presidentin amerikan Trump, gjatë të cilit kreu i Ministrisë së Jashtme Britanike u përpoq ta bindte atë që të mos bllokonte fondet për Ukrainën. Ai vuri në dukje gjithashtu ndarjen në Partinë Republikane të SHBA.
Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk mund ta përcaktonte qartë pozicionin e Trump për Ukrainën.
Vovan dhe Lexus kanë publikuar audio-incizimin e bisedës në kanalin e tyre Telegram dhe ende nuk dihet se si ka reaguar Cameron kur ka marrë vesh se bëhet fjalë për një bisedë false.
Zyra e Jashtme e Britanisë tha më 7 qershor se Cameron kishte shkëmbyer një sërë mesazhesh me tekst me dikë që pretendonte se ishte Petro Poroshenko dhe më vonë kishte një telefonatë të shkurtër video me atë person.