Britania dhe Franca braktisin planet për të njohur shtetin e Palestinës

Britania e Madhe dhe Franca do të braktisin planet e mëparshme për të njohur shtetin palestinez në një konferencë të ardhshme ndërkombëtare, sipas burimeve diplomatike.

Franca kishte lobuar pranë Britanisë dhe aleatëve të tjerë evropianë për të njohur shtetin palestinez në konferencën që do të mbahet në Nju Jork nga 17 deri më 20 qershor.

Presidenti Emmanuel Macron e kishte cilësuar këtë hap si një “detyrim moral dhe kërkesë politike”, duke sugjeruar se njohja mund të vinte në këmbim të njohjes së Izraelit nga Arabia Saudite në të njëjtën konferencë.

Megjithatë, The Guardian raportoi se zyrtarët francezë i informuan këtë javë homologët e tyre izraelitë se konferenca nuk do të shërbente si momenti për njohjen e shtetit palestinez.

Në vend të kësaj, fokusi i konferencës do të jetë për të përcaktuar hapat drejt njohjes, të cilët do të varen nga një sërë kushtesh dhe lëshimesh nga ana palestineze.

Këto do të përfshijnë një armëpushim të përhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve izraelite, reformimin e Autoritetit Palestinez, rimëkëmbjen ekonomike dhe përfundimin e sundimit të Hamasit në Gaza.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, deklaroi të premten se njohja e shtetit palestinez në këtë konferencë do të kishte qenë një vendim “simbolik” dhe theksoi se Franca, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka një “përgjegjësi të veçantë” për të mos e bërë këtë hap pa mbështetjen e aleatëve.

Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch, shprehu shqetësimin se këto kushte të vendosura mund të shërbejnë për të shtyrë pafundësisht njohjen e shtetit palestinez.

“Këta hapa nuk duhet të shndërrohen në një ‘proces paqeje’ të pafund e të paqenë, por duhet të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të ndaluar pengimin e shtetit palestinez,” shkroi ai në X (ish-Twitter).

Edhe pse 147 shtete e kanë njohur tashmë shtetin e Palestinës, shumë vende evropiane kanë qenë hezituese dhe kanë deklaruar se një njohje do të ishte e mundur vetëm me miratimin e Izraelit dhe hapa reciprokë nga shtetet arabe.

Irlanda, Spanja dhe Norvegjia e njohën Palestinën vitin e kaluar, dhe po rritet konsensusi se njohja duhet të bëhet njëanshmërisht si mjet presioni ndaj Izraelit për të ndryshuar kursin.

Javën e kaluar, diplomati izraelit Alon Pinkas i tha Middle East Eye se shtytja e Francës për njohjen e Palestinës është “serioze dhe ka mbështetjen e shumicës së BE-së dhe të Arabisë Saudite”.

Megjithatë, si Britania edhe Franca janë përballur me presion nga SHBA për ta ndalur këtë proces, ndërsa Izraeli ka kërcënuar me zgjerimin e vendbanimeve të tij në Bregun Perëndimor nëse kjo ndodh.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se planet për të ndërtuar edhe 22 vendbanime të tjera në territorin e pushtuar janë një “lëvizje strategjike që pengon krijimin e një shteti palestinez”.

Në korrik të vitit të kaluar, parlamenti izraelit votoi me shumicë dërrmuese kundër krijimit të një shteti palestinez, me përjashtim të ligjvënësve palestinezë dhe një deputeti të majtë hebre.

Pinkas i tha MEE se, megjithëse në Izrael nuk ka as mbështetje popullore dhe as institucionale për shtetësinë palestineze, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i drejtohet Izraelit me mesazhin: “Ne jemi miqtë tuaj, duam që të keni sukses, por kjo nuk mund të vazhdojë më… Netanyahu po ju çon drejt një katastrofe të pakthyeshme. Zgjohuni, ne jemi këtu për t’ju ndihmuar.”

Lufta e Izraelit kundër Gazës nisi pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 njerëz. Izraeli u kundërpërgjigj me bombardime masive dhe pushtim të Rripit të Gazës.

Më shumë se 54,000 persona janë vrarë nga sulmet izraelite, shumica gra dhe fëmijë, dhe sipas Kombeve të Bashkuara, popullsia përballet me urinë e menjëhershme dhe të gjerë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button