Brenda një muaji, aeroportet e Maqedonisë së Veriut kanë shërbyer mbi 460 mijë pasagjerë

Politikat për tërheqjen e kompanive të reja ajrore dhe hapjen e linjave të reja kanë nisur të japin rezultate konkrete, ndërsa aeroportet e Maqedonisë së Veriut po shënojnë rekorde historike për numrin e pasagjerëve dhe fluturimeve të realizuara. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë një interviste në emisionin “Vesti Plus”, duke theksuar se rritja e trafikut ajror është një tregues i fortë i zhvillimit të turizmit, biznesit dhe ekonomisë në përgjithësi.
Nikolloski tha se Qeveria po zbaton një politikë të mençur të subvencionimit dhe tërheqjes së kompanive të reja ajrore, e cila po sjell rezultate rekord në të dy aeroportet ndërkombëtare të vendit.
“Kemi nisur një politikë mjaft të mençur të subvencionimit dhe tërheqjes së linjave të reja ajrore dhe kompanive të reja që do të operojnë nga Maqedonia. Nga ana tjetër, kemi edhe mbështetje të fuqishme për turizmin. Sot u publikuan dy shifra jashtëzakonisht të rëndësishme. Aeroporti i Ohrit vetëm gjatë një muaji ka shërbyer 52.500 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 41 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për më tepër, më 20 korrik janë realizuar mbi 20 fluturime brenda një dite, që është rekord absolut për këtë aeroport”, tha Nikolloski.
Ai shtoi se në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, vetëm gjatë muajit korrik janë shërbyer 409.000 pasagjerë dhe janë realizuar 2.670 fluturime.
“Më 20 korrik u realizuan 101 fluturime brenda një dite, që është një rekord i ri absolut për Aeroportin e Shkupit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, shumë shpejt do të arrijmë shifrën prej katër milionë pasagjerësh në vit, diçka që deri para pak vitesh ishte e paimagjinueshme për Maqedoninë”, theksoi Nikolloski.
Sipas zëvendëskryeministrit, këto janë shifra reale të njerëzve që vijnë në vend, qëndrojnë, shpenzojnë për turizëm dhe biznes, ndërsa efektet e kësaj rritjeje reflektohen drejtpërdrejt në gjallërimin e ekonomisë së vendit.
